Vlerësohet e qetë gjendja e sigurisë në Podujevë

Kosova

Vlerësohet e qetë gjendja e sigurisë në Podujevë

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 15:21
Pamje nga mbledhja e Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, Podujevë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e kryesuar nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka analizuar sot të qetë gjendjen e sigurisë në këtë komunë.

Sipas komunikatës komunale,  Valbona Blakçori - togere në Stacionin Policor, periudhën raportuese tetor-nëntor të gjendjes së sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile. Duke bërë krahasimin me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ajo tha se ka rënie të rasteve të ndryshme kriminale të raportuara në Polici.

Më tej ajo përmendi aktivitetet e policisë në qytet me qëllim të krijimit të qarkullimit të lirë për qytetarë si dhe aktivitetet nëpër disa shkolla në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit me qëllim të vetëdijesimit të nxënësve kundër lëndëve narkotike.

Si një nga problemet me të cilat po përballen qytetarët e Komunës së Podujevës, togerja Blakçori përmendi rrezikun nga prania shumë e madhe e qenve endacakë.

Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësoi të qetë edhe përfaqësuesi i KFOR-it.

Faik Muçiqi, drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, informoi KKSB-në për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve. Në këtë kontekst ai përmendi investimet e bëra në ndriçimin publik në disa rrugë të qytetit rregullimin e trotuareve në qytet dhe disa fshatra në një gjatësi rreth 17 km, zgjerimi i shtratit të lumenjve dhe ndërtimi i pesë urave dhe rregullimi i disa kalesave (ura familjare), si dhe rregullimi i shenjëzimit vertikal.

Drejtori Muçiqi vlerësoi se të gjitha këto projekte infrastrukturore, përveç përmirësimit të kushteve të jetës, ndikojnë drejtpërdrejt edhe në sigurinë e qytetarëve.

KKSB në takimin e sotëm vendosi edhe për ngritjen e grupeve punuese për përgatitjen e propozimit të Planit të punës së KKSB për vitin 20l7 dhe përgatitjen e Informatës për aktivitetet e KKSB-së në vitin 2016.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Maloku, në emër të grupit punues, e informoi KKSB-në për Planin e veprimit komunal për implementimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat