Kuvendet komunale pa plane të punës për vitin 2017

Kosova

Kuvendet komunale pa plane të punës për vitin 2017

Më: 18 janar 2017 Në ora: 14:20
Organizata INPO (logo)

Organizata INPO, e cila monitoron punën e Kuvendit Komunal të Ferizajt dhe atij të Prishtinës ka konstatuar se këto dy kuvende kanë nisur vitin 2017 pa plan konkret të punës.

Mosmiratimi i planit vjetor të punës para se gjithash përbën shkelje të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, neni 40, i cili  i obligon kuvendet komunale të miratojnë planin vjetor të punës, përgjegjësi kjo e cila nuk mund të delegohet, si dhe tregon seriozitetin e anëtarëve të kuvendit karshi detyrave dhe përgjegjësive të tyre në përmbushjen e misionit të punës së kuvendit.

Bazuar në të dhënat e monitorimit, INPO vlerëson se agjenda e këtyre dy kuvendeve komunale është e varur pothuajse tërësisht nga agjenda e ekzekutivit të komunës apo kryetarit.

Kësisoj, agjenda konceptohet ad hoc pa pasur asnjë rrjedhë logjike në qeverisje  dhe ushtrim të funksionit të kontrollit ndaj ekzekutivit dhe organeve tjera vartëse të tyre.

Si organe më të larta legjislative në pushtetin lokal, kuvendet komunale kanë për obligim të sigurojnë kuadrin ligjor përmes së cilit avancojnë politikat lokale dhe në bashkëpunim me administratën e kryetarit përcaktojnë objektivat strategjike të zhvillimit të gjithëmbarshëm të komunave si dhe të angazhohen maksimalisht në funksionalizimin e mëtutjeshëm të mekanizmave demokratik në qeverisjen  komunave.

INPO reagon ashpër ndaj anëtarëve të kuvendeve komunale, në mënyrë të veçantë kryesuesve, për pasivitetin e tyre gjatë vitit të kaluar dhe mosangazhimin e tyre në hartimin dhe miratimin e planeve të punës. Këto plane përveçse do të përmbushnin një obligim ligjor, do të tregonin edhe seriozitetin e kuvendeve në përgjithësi për të kontribuar në qeverisjen e mirëfilltë të komunave. Gjithashtu, mosangazhimi i anëtarëve të kuvendit në Ferizaj dhe Prishtinë, në mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së planeve dhe projekteve të tjera lokale paraqesin keqpërdorim të drejtpërdrejtë të besimit të qytetarëve dhe të pozitës.

Prandaj, INPO, kërkon që Kuvendi Komunal i Ferizajt dhe  i Prishtinës me urgjencë t`i hartojnë dhe miratojnë planet vjetore të punës, i cili përveç efekteve të tjera,  do ta rris transparencën në punën e kuvendit komunal dhe do t’i nxiste qytetarët që në mënyrë më efektive të participojnë në punën e kuvendit dhe vendimmarrjen lokale.

INPO i bën thirrje edhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që të jetë më azhure në mbikëqyrjen e zbatimit të obligimeve ligjore nga ana e kuvendeve komunale.

Gjithashtu, INPO shprehet e gatshme të ofroj ekspertizën e saj kuvendeve komunale në draftimin e planeve të punës.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat