Malisheva shënon nëntëvjetorin e Pavarësisë me aktivitete të ndryshme

Kosova

Malisheva shënon nëntëvjetorin e Pavarësisë me aktivitete të ndryshme

Nga: BOTA SOT Më: 17 shkurt 2017 Në ora: 15:59
Festa e Pavarësisë në Malishevë

Komuna e Malishevës, përmes aktiviteteve të ndryshme, ka shënuar nëntëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Aktivitetet e Komunës së Malishevës, filluan me mbajtjen e një seance solemne të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku fjalë rasti ka mbajtur kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerë.

“U bënë shumë përpjekje politike, u bënë shumë organizime të ndryshme, për të ardhur deri tek organizimi ushtarak, si mjeti i fundit i përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi. Pas luftës së fundit, u bënë edhe shumë përpjekje diplomatike, për të ardhur në vitin 2008, kur edhe përfundimisht u bë shpallja e Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Begaj.

“Gjatë këtyre përpjekjeve tona si popull, për të fituar pavarësinë, në të njëjtën kohë, ne kemi punuar në ndërtimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë.Në këto përpjekje, qoftë politike, qoftë ushtarake, ashtu edhe në ndërtimin e vendit, pa dyshim se edhe Malisheva, kishte dhënë kontributin e saj, madje si komunë, apo si rrethinë edhe jemi sakrifikuar si popullatë, apo si banorë të kësaj pjese të vendit. Dashuria për vendin, gatishmëria për sakrificë dhe vetëmohim, si dhe pozita gjeografike, na kanë bërë që të jemi në shërbim të interesave kombëtare”, ka vazhduar tutje ai.

Ai vlerësoi lart përpjekjet dhe kontributin e Malishevës, në luftën për liri dhe për shtet.

Aktivitetet e Komunës së Malishevës, kanë vazhduar sipas agjendës, me homazhe dhe nderime te shtatorja e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në “Sheshn e Dëshmorëve” në Malishevë, pastaj homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevës, nderime dhe homazhe në Prekaz, si dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë.

Më pas, në parkun e qytetit në Malishevës, është organizuar një koncert me artistë nga Komuna e Malishevës dhe me artistë nga estrada kosovare, ndërsa nga ora 15:00, luhet edhe finalja në turnirin në futsall./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat