E rrallë: Në QKUK mjekët e operojnë foshnjën 5 muajshe

Kosova

E rrallë: Në QKUK mjekët e operojnë foshnjën 5 muajshe

Më: 23 shkurt 2017 Në ora: 12:22
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani në vizitë në QKUK me delegacionin zyrtar nga Turqia

(E plotësuar) - Në kuadër të javës së Shëndetësisë Kosovë- Turqi, deri më tani janë realizuar 74 operacione nga ekipi i mjekëve nga Turqia, në bashkëpunim me mjekët nga QKUK. Në mesin e pacientëve që kanë përfituar nga operacioni është edhe një foshnje 5-muajsh, e cila është operuar në kardiokirurgji, e që shënohet si rasti i parë i operuar në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj dhe dr. Öner Güner, Drejtor Gjeneral për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, vizitoi sot Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për tu njohur nga afër në lidhje me punën që po bëhet nga ekipi i mjekëve nga Turqia dhe mjekëve të QKUK-së.

Në këtë rast Ministri Rrahmani fëmijëve të operuar në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK dhe Kardiokirurgji, u ka shpërndarë dhurata dhe bisedoi me prindërit e tyre, të cilët u shprehën të kënaqur, që patën rastin t’i operojnë fëmijët e tyre nga ekipi profesionalë i mjekëve turq dhe nga Kosova.

Ministri Rrahmani tha se “patëm rastin të vizitojmë disa nga fëmijët e operuar dhe u njoftuam se operacionet kanë shkuar pa komplikime, këto operacione do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në dobi të edukimit të vazhdueshëm të stafit shëndetësor. Jemi informuar se deri në ditën e sotme janë operuar 74 pacientë dhe operacionet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe nesër”

Ai tha se përveç operacioneve përfitime kanë pasur edhe mbi 600 mjekë, që kanë ndjekur ligjërata nga profesorët nga Turqia, e gjithë kjo e mundësuar edhe në rajonet e tjera përmes Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë së Kosovës.

Image
Rrahmani me delegacionin zyrtar nga Turqia

Dr. Öner Güner, drejtor i përgjithshëm për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, me këtë rast njoftoi se përgatitjet dhe plani për realizimin e javës së katërt të shëndetësisë Kosovë – Turqi, kishin filluar 1 muaj e gjysmë më herët dhe gjithçka tashmë është realizuar edhe praktikisht.

“ Deri tani janë realizuar 74 operacione, presim që gjatë ditës numri i operacioneve të arrijë në 80, duhet theksuar se në mesin e operacioneve të realizuar është edhe operacioni kardiokirurgjik tek foshnja 5 muajsh dhe tek një fëmijë 5 vjeç, që janë realizuar për herë të parë në Kosovë”, u shpreh ai.

Sipas tij, mjekët nga Turqia u përkasin 10 specializimeve të ndryshme dhe bashkëpunimi me stafin e mjekëve nga Kosova ka qenë shumë i mirë. Ai tha se kjo javë është shfrytëzuar edhe për edukim të vazhdueshëm profesional për mjekët nga Kosova.

Z. Güner, premtoi se bashkëpunimi dhe përkrahje e shtetit turk do të vazhdojë edhe në të ardhmen, qoftë përmes trajtimit të 100 pacientëve brenda vitit falas në Turqi, sipas marrëveshjes me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, apo përmes realizimit të operacioneve direkt në Kosovës siç po ndodhë këtë javë.

Rrahmani viziton fëmijët e operuar nga mjekët turq dhe nga Kosova

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani bashkë me delegacionin zyrtar nga Turqia të udhëhequr nga Dr. Öner Güner, drejtor gjeneral për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë kanë vizituar fëmijët në QKUK në Klinikën e Kardiologjisë.

Güner tha se në shëndetësinë e Kosovë po vërehet përparim në krahasim me vendet të tjera që kanë bashkëpunime të tilla.

Ai më tutje shtoi se organizimi për herë të katërt i Javës së shëndetësisë është dëshmia më e mirë e përkushtimit të Qeverisë së Turqisë në mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat