Policia me aktivitet të posaçëm për parandalimin e sjelljeve devijantë të nxënësve

Kosova

Policia me aktivitet të posaçëm për parandalimin e sjelljeve devijantë të nxënësve

Më: 27 shkurt 2017 Në ora: 16:39
Grupe nxënësish të shkollave të mesme në Mitrovicë, në vizitë sot Drejtorinë Rajonale të Policisë

Grupe nxënësish të shkollave të mesme në Mitrovicë, kanë vizituar sot Drejtorinë Rajonale të Policisë në këtë qytet, për t’u njohur nga afër me aktivitetet e policisë në fushën e edukimit, sensibilizimit të dukurive negative nëpër shkolla, përfshirë sjelljet devijante, rrezikun dhe pasojat nga substancat narkotike, si dhe krimet kibernetike.

Ata janë pritur edhe nga drejtori Rajonal i Policisë Nehat Thaçi, i cili ka shprehur përkushtimin e vazhdueshëm në qasje të përbashkët për zgjidhjen e problemeve me mekanizmat tjerë ndërinstitucional.

 Thaçi, ka potencuar se një prej objektivave të Policisë është edhe parandalimi i hershëm i sjelljeve devijante të mundshme tek të rinjtë, kryesisht tek adoleshentët.

Ai u shpreh i kënaqur me rezultatet e arritura deri tani nga ky aktivitet i Policisë, duke kërkuar edhe ndihmën e institucioneve tjera relevante, siç janë Qendra për Punë Sociale, Drejtoria e Arsimit, familjarët dhe të tjerë.

 Thaçi: Jemi duke bërë përpjekje që sjelljet devijante t’i parandalojmë

“Një prej objektivave tona kemi edhe parandalimin e hershëm të sjelljeve devijante të mundshme tek gjeneratat e reja, kryesisht tek adoleshentët… Jemi duke provuar të bëjmë të pamundurën që sjelljet devijante t’i parandalojmë herët, jo pasi të ndodhin. Prandaj një prej objektivave tona për vitin 2017 është fokusimi tek gjeneratat e reja, të rehabilitimit të atyre të cilët kanë sjellje devijante… Jemi mjaft të kënaqur, në një formë objektivi ynë veç ka filluar t’i prekë rezultatet e veta, për shkak se këto gjenerata të reja nuk kanë shumë informacion për mundësitë që ka policia… Në njëfarë mënyre ne po i shijojmë rezultatet e këtyre projekteve, mirëpo neve duhet të na asistojnë edhe institucionet tjera, si Qendra për punë sociale, Drejtoria e arsimit, pedagogë të ndryshëm, familjarë”, ka thënë Thaçi.

 Drinor Veliu, kryetar i Këshillit Rinor të gjimnazit ‘Frang Bardhi’ në Mitrovicë, tha se gjatë kësaj vizite të nxënësve në Policinë rajonale, janë rritur nuancat e bashkëpunimit mes të rinjve dhe Policisë,  që është një faktor çelës dhe lidhës mes qytetarit e policisë. Sipas tij, duke parë aktivitetet e gjera të policisë, të rinjtë pa dyshim se do të ngrisin vetëdijen e tyre për sigurinë.

Veliu: Ne pamë aktivitetin e Policisë që na bën të sigurt

“Në mënyrë të dokumentuar pamë se aktiviteti i tyre është bukur i madh dhe përmes saj secili mund të jetë i sigurt në qytetin tonë”, tha ai.

Në anën tjetër, Miran Salihu, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë, ka bërë të ditur se ekziston një bashkëpunim i shkëlqyeshëm mes Qendrës për Punë Sociale dhe Policisë së Kosovës, kundër dukurive negative tek nxënësit dhe të rinjt në përgjithësi.

 Duke potencuar nevojën për pedagogë dhe psikologë nëpër shkolla, ai tha se dukuritë negative në raport me vitet e kaluara kanë shënuar rënie.

 Salihu: Policia gjithnjë bashkëpunon me neve

 “Policia gjithherë është në bashkëveprim me Qendrën për Punë Sociale…Kjo ndikon në parandalimin e dukurive negative nëpër shkolla, mosvijimin e mësimit, delikuencës, të gjitha atyre rasteve që fatkeqësisht në shkollat tona po përsëriten… Me siguri dhe duhet të jenë më të shpeshta sepse ka nevojë për aktivitete të tilla nëpër shkolla, ka raste të tilla mjaft dhe fatkeqësia është se shumë shkolla nuk kanë pedagogë dhe psikologë që kishte me qenë shumë me ndikim… Fatbardhësisht një dukuri e tillë është në rënie, mirëpo ka raste ende që janë brengosëse për Policinë dhe neve si institucion”, theksoi Salihu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat