Pajtesa nuk pajtohet me eliminimin nga konkursi për arsimtare

Kosova

Pajtesa nuk pajtohet me eliminimin nga konkursi për arsimtare

Më: 28 shkurt 2017 Në ora: 16:16
Pajtesa

Pajtesa Doli thotë se ia manipuluan testin me shkrim për ta favorizuar kundërkandidatin e saj për mësimdhënës të lëndës Histori- Edukatë Qytetare.

Pajtesa Doli ankohet se Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë manipuloi testin e saj me shkrim për vendin e punës si mësimdhënëse në Shkollën e Mesme Ekonomike “Kadri Kusari” për ta favorizuar kundërkandidatin e saj.

Doli që kishte kandiduar për pozitën e mësimdhënëses në lëndën Histori- Edukatë Qytetare, thotë se DKA mezi ia dha testin për ta parë, pasi u publikuan rezultatet.

Kur e pa, ajo u bind edhe më shumë në parregullsi.

“Më vlerësuan me 61 pikë. Nuk ma lejuan që ta shikoj testin sepse e di që kam bërë pikë ma shumë. Kur e kontaktova KALLXO.com, atëherë ata ma dhanë testin”, thotë ajo.

Vlerësimi i përgjigjes në pyetjen “Ç’është Kushtetuta” është ajo për të cilën Pajtesa Doli ka ankesa.

Doli, që ka të kryer studime të nivelit master në Histori, thotë se është përgjigjur drejt, ndërsa komisioni e kishte vlerësuar me zero pikë.

“Kundërkandidati që nuk ka master e kanë vendos të parin kinse ka një pikë e gjysmë më shumë se unë. Unë i kam 61 pikë, ai i ka 62.5, mirëpo kur e kam parë testin unë kam parë se kam pikë më shumë se kundërkandidati”, thotë ajo.

Drejtoresha e DKA-së në Gjakovë, Diana Qarkaxhija, tha për KALLXO.com përmes telefonit se Pajtesa Doli “është trajtuar sipas rregulloreve dhe udhëzimeve administrative në fuqi si çdo kandidat tjetër”.

“Pajtesa Doli ka parashtruar ankesë në Inspektoratin e Arsimit dhe atje mund të kërkoni përgjigje”, tha Qarkaxhija.

Kryeinspektori i Arsimit në Gjakovë, Zef Osmani, nuk deshi të flasë para kamerës. Por, ai tha se ankesat e Pajtesa Dolit duhet të trajtohen nga Inspektorati i Punës, e jo ai i Arsimit.

Në konstatimet e procesverbalit të inspektimit të këtij rasti të siguruar nga KALLXO.com mes tjerash thuhet së pretendimet e Dolit janë pjesërisht të bazuara sa i përket vlerësimeve të testit.

“Kandidatja në pyetjen e parashtruar nga DKA “Çka është Kushtetuta dhe çka rregullon ajo” është përgjigjur pjesërisht saktë, do të thotë vetëm për pjesën e pyetjes çka është Kushtetuta… Edhe përkundër se përgjigjja e kandidates nuk përputhet me çelësin e kërkuar, përgjigja e kandidates ka elemente pozitive”, thuhet në vendim.

Nga Inspektoriati i Arsimit në Gjakovë, Pajtesa Doli kishte marrë rekomandime që t’i drejtohet Inspektoratit të Punës me arsyetimin se çështja e testit dhe intervistës për pranimin e kuadrit rregullohet me legjislacionin të kësaj Ministrie.

Kur është ankuar në Inspektorat, ky organ e ka hedhur poshtë këtë ankesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat