AAK: Nuk jemi përcaktuar për koalicion pas zgjedhor PDK-në

Kosova

AAK: Nuk jemi përcaktuar për koalicion pas zgjedhor PDK-në

Më: 14 mars 2017 Në ora: 21:02
Selia e AAK-së

Pas disa shkrimeve në portale dhe media ë Kosovë, se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të bëjë koalicion pas zgjedhor me PDK-në, kjo parti, përmes një kumtese ka dhënë këtë sqarim:

“AAK ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe për koalicione pas zgjedhore me asnjërën nga partitë politike, duke mos përjashtuar as LDK-në, as PDK-në e as VV-në. Asnjë diskutim i brendshëm për koalicion të mundshëm të AAK-së, me ndonjë parti specifike politike, nuk ka ndodhur. Çdo njoftim i mediave për gjoja koalicion pas zgjedhor të AAK-së me PDK-në, ose me çfarëdo force tjetër politike, në këtë fazë, është i pasaktë.

AAK, është duke punuar për t'i fituar zgjedhjet dhe ajo do të vendosë për koalicion vetëm pasi që të kenë përfunduar zgjedhjet, për çka do të ketë një sërë kriteresh.

Përpjekjet e personave dhe mediave për të dezinformuar opinionin publik se si AAK është afruar me një forcë specifike politike, në rastin konkret me PDK-në, dhe është kundër një tjetre, bëhen me qëllim që ta zbehin mbështetjen që po e merr AAK si parti dhe Lideri i saj si figurë unifikuese në Kosovë.

Këto qarqe, këto media dhe këta individë, ka vite që flasin për një koalicion të AAK-së me PDK-në, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

Kur AAK vendos të bëjë koalicion me një parti politike, para ose pas zgjedhjeve, atë do ta bëjë publike vet, siç ka vepruar gjithmonë në jetën e saj politike”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat