Lumezi takon vartësit e tij

Kosova

Lumezi takon vartësit e tij

Më: 22 mars 2017 Në ora: 16:43
Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur sot takim pune me kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.

Gjatë këtij takimi sipas kërkesës së kryeprokurorit Lumezi në këtë takim secili kryeprokuror prezantoi planin e punës, në të cilin përfshihen sfidat dhe objektivat për secilën prokurori.  

Poashtu me kërkesë të kryeprokurorit Lumezi të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, raportuan për muajin shkurt të këtij viti për punën e prokurorive që i drejtojnë, si dhe për punën e secilit prokuror të asaj prokurorie.

Në këto raporte të paraqitura nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive, ishin të përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura, si dhe statistikat për punën e secilit prokuror.

Nga paraqitja e këtyre raporteve u pa se gjatë muajit shkurt 2017 ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, si dhe në Prokurorinë e Apelit.

Vetëm gjatë muajit shkurt në Prokurorinë e Apelit 413 lëndët e pranuara në punë kanë përfunduar, ndërkaq gjatë këtij muaji Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar në punë 7 lëndë dhe i ka përfunduar 10 lëndë.

Ndërkaq, shtatë prokuroritë themelore gjatë muajit janar 2017 kanë pranuar në punë 1936 lëndë dhe kanë përfunduar 3226 lëndë, që do të thotë se prokurorët kanë përfunduar 1290 lëndë më shumë sesa kanë pranuar në punë.  

·         Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar në punë 765 lëndë dhe ka përfunduar 1388;

·         Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar në punë 194 lëndë dhe ka përfunduar 473;

·         Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar në punë 251 lëndë dhe ka përfunduar 253;

·         Prokuroria Themelore në Gjakovë ka pranuar në punë 151 lëndë dhe ka përfunduar 187;

·         Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar në punë 76 lëndë dhe ka përfunduar 223;

·         Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar në punë 230 lëndë dhe ka përfunduar 287;

·         Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar në punë 269 lëndë dhe ka përfunduar 415.

Gjatë këtij takimi u mor qëndrim që secili prokuror nga Departamentet e Përgjithshme dhe ato për Krime të Rënda ta njoftoj kryeprokurorin e prokurorisë përkatëse me aktvendimet për pushime të hetimeve, me aktvendimet për hedhje të kallëzimeve penale, me ngritje të aktakuzave, si dhe për rastet kur prokurorët tërhiqen nga aktakuza.   

Qëndrim tjetër nga ky takim ishte që secili prokuror për çdo udhëtim zyrtar jashtë vendit ta njoftoj paraprakisht kryeprokurorin e prokurorisë përkatëse, nga i cili duhet të merret pëlqimi për realizim të udhëtimit zyrtar dhe më pas kryeprokurori i asaj prokurorie ta njoftoj kryeprokurorin e Shtetit.

Në këtë takim kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër lumëzi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që të gjitha prokuroritë të zgjedhin së paku 10% më shumë se vitin e kaluar lëndë të krimeve ekonomike dhe korrupsionit, si dhe të zbatohet më shumë përfundimi i lëndëve me procedura alternative.

Kërkesë tjetër e kryeprokurorit Lumezi ishte që Prokuroria Speciale e Kosovës të ketë më shumë trajtim të rasteve për krim të organizuar me shtrirje ndërkufitare.

Po ashtu gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi kërkoi nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në afat prej 7 ditësh, të caktojnë nga një prokuror, me përjashtim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë që duhet të caktoj dy prokurorë, të cilët do të merren me trajtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar. Për këtë çështje kryeprokurori Lumezi njoftoi se së shpejti do ta caktoj një prokuror nga zyra e tij koordinator për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat