Hartohet projekti për ndërtimin e ujësjellësit në Orllan

Kosova

Hartohet projekti për ndërtimin e ujësjellësit në Orllan

Më: 23 mars 2017 Në ora: 13:59
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu në takim me Ilir Abdullahun, kryeshef ekzekutiv i KUR “Prishtina”, drejtorin teknik Sokol Xhafa si dhe Alan Brown dhe Astrit Vokshi

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur të enjten në një takim Ilir Abdullahun, kryeshef ekzekutiv i KUR “Prishtina”, drejtorin teknik Sokol Xhafa si dhe Alan Brown dhe Astrit Vokshi, përfaqësues të Asociacionit të Përbashkët Dorsch/CDI, e cila implementon “Programin mbështetës për furnizim me ujë dhe kanalizime në zonat rurale të Kosovës, faza e 5-të”.

Në këtë takim u bisedua për zgjidhjen e çështjes së furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e fshatit Orllan me rrethinë dhe realizmin e projektit për trajtimin biologjik të ujërave të zeza.

Lidhur me ndërtimin e ujësjellësit dhe furnizimit me ujë të fshatit Orllan, kryetari Veliu dhe kryeshefi i KUR “Prishtina” u pajtuan që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë për këtë çështje.

“Me kryeshefin Abdullahu u dakorduam që KUR “Prishtina” të fillojë me hartimin e projektit për ndërtimin e ujësjellësit për furnizim me ujë të pijshëm të banorëve të asaj zone”, tha kryetari Veliu.

Ai premtoi se me rishikimin e buxhetit komunal për vitin 2017 do të ndahet një shumë e mjeteve për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit për fshatin Orllan dhe se do të angazhohet që të gjejë forma të financimit të projektit edhe nga niveli qendror.

Kryeshefi ekzekutiv i KUR “Prishtina” Ilir Abdullahu, ka shprehur gatishmërinë për investime në zgjidhjen e çështjes së ujit të pijshëm për Orllanin dhe fshatrat përreth, duke thënë se menjëherë do të fillojnë me hartimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit.

Në këtë takim e sotëm përfaqësuesit e Asociacionit të Përbashkët Dorsch/CDI, Alan Brown  dhe Astrit Vokshi, e informuan kryetarin Veliu se është në fazën e prokurimit projekti zbatues për  ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe impiantit për trajtimin biologjik të ujërave të zeza në Orllan.

Ndryshe, projekti në vlerë prej 500 deri 600 mijë euro financohet nga Zyra Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë dhe implementohet nga Asociacioni i Përbashkët Dorsch/CDI, në kuadër të “Programit mbështetës për furnizim me ujë dhe kanalizime një zonat rurale në Kosovës, faza e 5-të”. Punimet do të fillojë menjëherë pas përfundimit të procedurave të prokurimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat