Kryeministri Mustafa: Roli i gruas, vendimtar në zhvillimin e gjithanshëm të vendit

Kosova

Kryeministri Mustafa: Roli i gruas, vendimtar në zhvillimin e gjithanshëm të vendit

Më: 23 mars 2017 Në ora: 20:05
Mustafa mori pjesë në punimet e Konferencës “Java e Gruas 2017"

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në punimet e Konferencës “Java e Gruas 2017”.

Para shumë të pranishmëve, kryeministri Mustafa ka folur për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që zhvillimin ekonomik ta mbështes, ndër të tjera, në avancimin e rolit të gruas në të gjitha fushat.

Duke qenë se zhvillimi ekonomik është prioritet i Qeverisë, kryeministri Mustafa foli për punën që po bëhet në rritjen vjetore të GDP-së, e cila më pas krijon hapësirë për të përballuar fluksin e papunësisë.

“Në pikëpamje profesionale mund të themi se neve na nevojitet një rritje ekonomike vjetore ndërmjet 6 deri 7 për qind në vit, për të përballuar fluksin e papunësisë, që sillet në numra absolut ndërmjet 23 dhe 25 mijë që hyjnë çdo vit në tregun e punës, plus rreth 130 mijë të cilët i kemi në zyrat për punësim, të cilët akoma nuk kanë gjetur punë. Ne kemi arritur që në dy vitet e kaluara, sipas statistikave, të përballojmë rreth 40 mijë, 18 mijë në vitin 2015, rreth 22 mijë në vitin 2016, dhe në qoftë se trendet ekonomike shkojnë kështu, ne mund të llogarisim se mund të përballojmë edhe rreth 25 mijë në vitin 2017”, tha kryeministri.

Megjithatë, kryeministri Mustafa tha se këto nuk janë të gjitha vende të reja të punës dhe se përveç kontratave për zëvendësim, në këto shifra hyjnë edhe vendet e punës që janë hequr nga informaliteti. Kjo gjendje, sipas kryeministrit, do të përmirësohet edhe me investimet që do të bëhen në termocentralin e ri.

 "Tash, në qoftë se më shtrohet pyetja se kur ne do të arrijmë dinamikën e zhvillimit ekonomik, i cili do të mundësonte të përballoj këtë fluks prej 25 mijë që hyjnë si fluks i ri në tregun e punës, dhe po ashtu të fillojmë të marrim edhe nga rezervat e atyre që janë të papunë sot të regjistruar në zyrat për punësim, ne mund të presim në vitet e ardhshme, sepse në qoftë se sivjet i nënshkruajmë kontratat për investime në Termocentralin “Kosova e Re”, që është një investim prej një miliard eurove, dhe hyjmë në investime të mëdha, atëherë do të kemi gjenerime shtesë të vendeve të punës, në procesin e investimit dhe në procesin e ndërtimit, të cilat më vonë do të krijojnë hapësirë për një diversifikim të zhvillimit ekonomik, në mënyrë që të përballojmë në mënyrë të sigurt fluksin vjetor që hyjnë në tregun e punës, që kryesisht janë të rinj që kryejnë qoftë Universitetin, qoftë shkollat e  mesme, dhe nuk vazhdojnë më tutje, edhe të fillojmë të ulim shkallën e papunësisë”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa theksoi se për dallim nga fundi i vitit  2014 kur papunësia ishte 35 për qind, statistikat kanë treguar se kjo shkallë vitin e kaluar është mbyll me 26 për qind, por edhe kjo rënie lëviz prapë. Por, ajo që mbetet shqetësuese është numri i madh i grave të papunësuara.

“Për fat të keq ne i kemi këto realitete, sepse më së shumti të papuna kemi gra dhe të rinj. Diku në evidencat e punësimit, kemi 20 për qind gra, 60 për qind burra, që kemi një diferencë evidente. Po ashtu kemi të papunë pjesën dërrmuese të grave, kemi më pak relativisht burra që presin për t'u punësuar”, tha kryeministri.

Njëra nga shkaqet e papunësisë së madhe, sipas kryeministrit Mustafa, është edhe mospërputhja e sistemit të arsimit me tregun e punës, problem të cilin Qeveria po synon ta përmirësoj përmes Agjendës së Reformave Evropiane, që pos kësaj teme trajton edhe  konkurrueshmërinë e bizneseve kosovare me ato të vendeve të BE-së dhe luftën ndaj korrupsionit. Pos kësaj, kryeministri përmendi edhe bisedat me Gjermaninë dhe vende tjera evropiane, për të parë mundësitë e mbështetjes më të madhe të shkollave profesionale. 

Image

Mospërputhja e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës, sipas kryeministrit, ka bërë që njerëz nga vendet fqinje të vijnë e të punësohen në bujqësi, në shërbime dhe në prodhim.

“Tash edhe këtu kemi një diferencë shumë të madhe, sepse interesimi për sektorin publik është i jashtëzakonshëm, është tej mase, ndërsa për sektorin privat është më i ulët, sepse shumica nuk e konsideron veten vërtetë të punësuar, në qoftë se nuk punësohen në sektorin publik, e ne në sektorin publik i kemi rreth 80 mijë vende të reja të punës të cilat janë ngop, dhe është vështirë që të kapërcehet kjo kornizë e sektorit publik”, tha kryeministri.

Më pas, kryeministri Mustafa i është përgjigjur dhjetëra pyetjeve të shtruara nga të pranishmit që lidheshin me tema ekonomike, politike, sociale e shumë fusha tjera të jetës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat