Vendoset rreth vrasjes për hakmarrje të Bekim Osmanit

Kosova

Vendoset rreth vrasjes për hakmarrje të Bekim Osmanit

Më: 25 mars 2017 Në ora: 17:22
ilustrim

Gjykimi për shtytje dhe ndihmë në vrasjen për hakmarrje të Bekim Osmanit në vitin 2006 ndodhet para përfundimit.

Fjala përfundimtare e palëve u dha në gjykimin ku Shefki Zogjani akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë të Bekim Osmanit, ndërsa djali i tij Hasim Zogjani për ndihmë në kryerjen e kësaj vrasjeje.

Kur ndodhi vrasja për hakmarrje e Bekim Osmanit në Fushë-Kosovë në vitin 2006, Hasim Zogjani ishte i mitur.

Këtë vrasje dyshohet se e ka kryer i azrratisuri Korab Zogjani, nipi i Shefki Zogianit për t’u hakmarrë në lidhje me vrasjen e vëllait të tij Kastriot Zogjani.

Kastriot Zogjani ishte vrarë në Fushë-Kosovë në vitin 2004 nga Avni Osmani, djali i axhës së Bekim Osmanit.

Aktakuza e ngarkon Shefki Zogjanin se kishte ndikuar te Korab Zogjani që të merrte vendim për vrasjen e Bekim Osmanit për hakmarrje.

Në seancë, prokurori Feti Tunizliu, gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare, kërkoi që i akuzuari Shefki Zogjani të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Ndërsa Mentor Neziri, avokati i Shefki Zogjanit tha se “prokurori nuk ka mundur që t’i vërtetojë dyshimet me prova dhe asnjë fakt nuk është vërtetuar.

I akuzuari Shefki Zogjani tha se që dhjetë vjet po maltretohet nëpër gjykata.

“I lutem trupit gjykues që të marrë vendim të drejtë, sepse unë po malltretohem që dhjetë vite për një vendim të padrejtë”, tha Zogjani.

Ai i kërkoi edhe vetë dënim gjykatës, nëse trupi gjykues gjen prova.

“Nëse trupi gjykues arrin të gjejë prova se unë e kam kryer këtë vepër, njëherë mi ka dhënë 10 vite, tash le të mi japë edhe dhjetë të tjera”, tha Shefki Zogjani.

Shefki Zogjani edhe në seancën e 13 marsit të këtij viti kishte thënë se po maltretohej nëpër gjykata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat