Hiqet bërllogu në Plemetin

Kosova

Hiqet bërllogu në Plemetin

Më: 29 mars 2017 Në ora: 14:25
Pastrim në Plemetin

Një grumbull i madh mbeturinash janë hequr sot në fshatin Plemetin të Obiliqit, konkretisht në lagjen ku jetojnë banorët të komunitetit rom.

Aksioni i sotshëm për heqjen e mbeturinave është organizuar nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”, i mbështetur edhe nga KEK-u, Ministria e Mjedisit dhe komuna e Obiliqit.

Koordinatori i fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj tha se kjo fushatë tash e disa vite po i adreson problemet mjedisore në vend

Hasanaj: Po i kushtojmë rëndësi deponive ilegale

“Fushata ‘Ta pastrojmë Kosovën’  tash e disa vite i adreson problemet mjedisore dhe mundohemi që rregullisht të gjejmë partneritete dhe të kërkojmë ndihmë për të intervenuar në lokacione siç janë këto. Këtë vit jemi duke i kushtuar shumë rëndësi zonave me deponi ilegale të mbeturinave ku jetojnë komunitetet”, tha Hasanaj.

Hasanaj tregoi se është i kënaqur që e sheh një mobilizim të tillë pasi që po jetojmë në vendin pothuajse më të ndotur në Evropë.

Hasanaj: Jetojmë në vendin pothuajse më të ndotur në Evropë

 “Është rasti i fundit që të reagojmë dhe kur shoh një mobilizim të tillë të kompanive siç është KEK-u , por edhe kompanive të tjera megjithatë pak motivohemi dhe do të mundohemi që rezultatet do të jenë më të mira”, tha Hasanaj.

Në aksionin për pastrimin e këtij lokaliteti u angazhuan edhe banorë të kësaj lagjeje. Për t’i përkrahur në këtë mobilizim ka dal edhe deputeti që i përfaqëson romët në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti Kujtim Paçaku tregoi se qëllimi kryesor është sensibilizimi i qytetarëve dhe institucioneve sepse në shekullin XXI askush nuk meriton të jetojë në këso kushtesh.

Paçaku: Askush nuk e meriton të jetojë në këso kushtesh

“Nuk është aksioni i parë, kemi bërë këso aksione edhe në Mitrovicë edhe ne Prelluzhë, por tani dëshirojmë t’i sensibilizojmë edhe institucionet sepse në shekullin e XXI ky komunitet nuk e meriton aspak të jetojë në këto kushte. Shihni që në baraka apo në kampet e përqendrimit ashtu t’i quajmë në shekullin XXI  jetojnë në kushte të mjerueshme. Askush i punësuar, vetëm jetojnë nga lëmosha. Tani të gjithë këta të kampit i shohim në Prishtinë të bëjnë lëmoshë, lypsarë janë. Ne nuk guxojmë të lejojmë që një pjesë e komunitetit në shekullin XXI të qëndrojë duarkryq”, tha Paçaku.

Skender Bucolli nga KEK-u, ka treguar se ndër prioritetet e kësaj Korporate është  edhe mbrojtja e ambientit.

Bucolli: Mbrojtja e ambientit, ndër prioritetet e KEK-ut

 “KEK-u përveç eksploatimit të thëngjillit dhe prodhimit të energjisë elektrike një ndër prioritetet e ka edhe mbrojtjen e ambientit dhe ndihmën ndaj komunitetit në rrethinën ku operon”, tha Bucolli.

Aksione të tilla, sipas Besmir Kokollarit, gjithnjë do ta kenë përkrahjen e Ministrisë së Ambientit,

Kokollari: gjestet e tilla do ta kenë gjithmonë mbështetjen e ministrisë

“Ne si Ministri bazuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës i trajtojmë të gjithën komunitetet në mënyrë të barabartë dhe ky është një gjest shumë i mirë dhe një gjest, i cili do ta ketë çdoherë mbështetjen e Ministrisë e posaçërisht edhe të ministrit Shala”, tha Kokollari.

Iniciativa të tjera për heqjen e mbeturinave sipas drejtuesve të “Let’s do it Kosova” pritet që të mbahen edhe ditëve të ardhshme.

Përveç pastrimit të deponive të mbeturinave, Kryqi i Kuq i Prishtinës ka shpërndarë ndihma për banorët, ndërsa drejtoria komunale e Shëndetësisë  dhe njësia mobile nga QKU ka bërë vaksinimin e banorëve të Plemetinit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat