E akuzuara për fajde, rrahet rrugës për Gjykatë

Kosova

E akuzuara për fajde, rrahet rrugës për Gjykatë

Më: 29 mars 2017 Në ora: 20:32
Mbrojtja kërkoi veçimin e procedurës për Zyrafete Hukollin

Në gjykimin e 14 të akuzuarve për krim të organizuar, fajde e vepra të tjera të rënda penale, të mërkuren mungoi e akuzuara Zyrafete Hukolli.

Mbrojtësi i Hukollit, avokati Islam Gashi, e njoftoi gjykatën se e akuzuara është nisur për gjykim, mirëpo rrugës ka pasur probleme me të dashurin e saj dhe tani ndodhet në stacionin policor të Deçanit.

Kryetari i trupit gjykues bisedoi me stacionin policor ne Deçan, ku edhe konfirmoi se ajo gjendet në Qendrën Shëndetësore të Deçanit, ngase ka pësuar lëndime nga personi me të cilin bashkëjeton.

Qysh në fillim, trupi gjykues shpërndau aktvendimin për mbrojtësit dhe të akuzuarit me të cilin i njoftoi se e ka veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarit Zef Oroshi, i cili sipas informatave të gjykatës ka ikur jashtë shtetit dhe se për momentin është i pakapshëm për organet e rendit.

Mbrojtja kërkoi veçimin e procedurës edhe për Zyrafete Hukollin. Madje, avokati i Tunë Kqirës, Azem Vllasi, edhe një herë kërkoi ndërprerjen e paraburgimit për të akuzuarit.

“Me të vërtetë në këtë fazë ta ndërpreni paraburgimin, ne nuk po propozojmë masa tjera alternative por ta zëvendësoni me arrest shtëpiak”, tha avokati Vllasi.

Propozimit për ndërprerje të paraburgimit iu bashkangjitën edhe avokatët tjerë, mirëpo këtë propozim e kundërshtoi prokurorja speciale, me arsyetimin se edhe më tutje ekzistojnë të gjitha shkaqet për të vazhduar paraburgimin.

Trupi gjykues vendosi që seanca e së mërkures të shtyhet, ndërsa seancën e radhës e caktoi për 7 prill.

I revoltuar nga kjo situatë, i akuzuari Gjon Kqira, tha se anëtarët e familjes së tij po mbahen pa faj. Madje ai tha se krim i organizuar nuk është familja e tij por është gjykata dhe prokuroria. Kqira, akuzoi edhe komandantin e policisë dhe ish kryeprokurorin e Prizrenit Sylë Hoxha.

“Ta dini se ka Zot. Edhe na kemi familje e kena fëmijë, kjo është maltretim, krim prej komandantit të policisë, e deri te zotëri Sylë Hoxha. Zoti ditë çka boftë mbi trupin e tij, se krejt qetyne na kanë ardhë, s’kemi të bojmë na absolutisht, s’ka qyetarë as familje që mundët me thonë, përveç Zef Grudës edhe ai ka maltretim”, tha Gjon Kqira.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat