Pagat e Auditorëve të brendshëm në duar të deputetëve

Kosova

Pagat e Auditorëve të brendshëm në duar të deputetëve

Më: 5 prill 2017 Në ora: 12:58
Mbledhja e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa

Për pagat e auditorëve të brendshëm mbetet të vendosin deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në seancën kur do të shkojë për votim raporti përfundimtar i Projektligjit për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, deputetët do t’i kenë dy propozime.

Një propozim të Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa , i cili ka paraparë që pagat e auditorëve të rregullohen me Ligjin për Shërbim Civil dhe propozimin e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike , i cili ka propozuar që pagat e auditorëve të jenë në harmoni me rrogat e auditorëve të jashtëm. 

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike vendosi që të dy propozimet ti dërgojë në Kuvend.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Faton Topalli, tha se dy propozimet do të dërgohen në seancë në kohën kur do të shkojë ky raporti i këtij ligji.

Topalli: Kemi dy amendamente që nuk jemi pajtua me Komisioni për Buxhet

“Ne  kemi diskutuar sot për Ligjin për Mbikëqyrjen e Brendshme të Kontrollit të Financave Publike. Ligji është përfunduar, kanë mbetur dy amendamente për të cilat nuk jemi pajtuar me Komisionin për Buxhet dhe Financa. Respektivisht Komisioni për Buxhet dhe Financa ka propozuar që rrogat e auditorëve të brendshme të rregullohen sipas legjislacionit për Shërbimin Civil. Ne kemi propozuar duke dashur me e ruajt pavarësinë e auditorëve të brendshëm që rrogat e tyre të jenë në harmoni me rrogat e auditorëve të jashtëm. Dy propozimet shkojnë në seancë dhe pastaj seanca me shumicë votash voton. Por ideja jonë e Komisionit ka qenë që të ruhet pavarësia e auditorit“, tha Topalli. Dy propozimet që u miratuan në Komision për Financa Publike , deputetët në seancën kur do të hedhet për votim ky ligj do të vendosin se si do t’iu rregullohen pagat auditorëve të brendshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat