E-prokurimi mundëson transparencë, efikasitet dhe llogaridhënie

Kosova

E-prokurimi mundëson transparencë, efikasitet dhe llogaridhënie

Më: 25 prill 2017 Në ora: 15:33
Ministria e Financave në bashkëpunim me USAID-in, projektin "Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”(TEAM), kanë organizuar të martën tryezën “e-Prokurimi, Sfidat dhe Mundësitë”.

Ministria e Financave në bashkëpunim me USAID-in, projektin "Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”(TEAM), kanë organizuar të martën tryezën “e-Prokurimi, Sfidat dhe Mundësitë”, ku u elaborua situata në të cilën gjendet e-prokurimi si proces dhe mundësitë për përmirësime në të ardhmen, sidomos tash kur USAID përmes projektit TEAM ka mundësi të asistojë në këtë fushë.

Në këtë tryezë morën pjesë zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, zëvendësdrejtori i misionit të USAID-it Mike de la Rosa, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha, drejtori i projektit të USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” Stephen Carpenteer, përfaqësues tjerë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqësues të Shoqërisë Civile përfaqësues të 5 komunave të përzgjedhura për mbështetje Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjakovës, Komuna e Pejës, Komuna e Gjilanit, si dhe komuna e Vushtrrisë.

Drejtori i projektit të USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” Stephen Carpenteer, theksoi se projekti i USAID-it EKIPI (TEAM) vjen në kohën e duhur për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në përgjithësi dhe KRPP, në veçanti për të përfunduar me sukses zbatimin e sistemit të prokurimit elektronik.

Ai theksoi se qëllimet e aktiviteteve të EKIPËS janë në përputhje me qëllimet e Qeverisë së Kosovës.

“Ne do të punojmë me KRPP-në për të ngritur aftësinë e tyre afatgjatë për të funksionuar dhe për të mirëmbajtur sistemin e prokurimit si dhe për të rritur aftësinë e tyre për të trajnuar zyrtarët komunal të prokurimit, auditorët e brendshëm, operatorët ekonomikë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe përdoruesit tjerë në nivel nën-kombëtar, duke çuar në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në procesin e prokurimit komunal”, ka thënë Carpenteer.

Ndërsa, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi bëri të ditur se kërkesa për forcimin e llogaridhënies dhe efektivitetit në prokurimin publik si mjet për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të publikut duke filluar nga niveli komunal e deri te ai qendror, është edhe kërkesë e Ministrisë së Financave.

“Projekti  i USAID-it Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse vjen në kohën e duhur për t’i mbështetur këto përpjekje. Duke punuar ngushtë me partnerët - përfshirë kryetarët e komunave, kuvendet komunale, zyrtarët e prokurimit dhe auditorët - dhe me përkrahjen e ndërlidhjen me nivelin qendror të qeverisjes, agjencitë e pavarura dhe shoqërinë civile, projekti  do të promovojë ndryshime të qëndrueshme në nivelin lokal”, ka thënë ai.

Sipas tij, projekti i USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” do të ofrojë asistencë të plotë në pesë komunat e përzgjedhura për t’u vënë në fokus me anë të monitorimit, trajnimit dhe udhëzimit nga dita në ditë, për të krijuar sisteme të cilat do të përmirësojnë mënyrën se si ato japin llogari për fondet dhe shpenzimet publike.

Zëvendësdrejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, Mike De La Rosa, theksoi se USAID mbetet i përkushtuar për të implementuar reformën për parandalimin e korrupsionit, në mënyrë që të rritet besimi në institucionet vendore.

“Kjo do të rrisë besimin në institucionet në Kosovë dhe kjo do të rris investimet dhe të krijoj vende të reja të punës. Kjo nuk do të ishte e mundur pa luftimin e korrupsionit nga të gjithë akterët”, tha Rosa.

Ai bëri të ditur se ky projekt do t’i mbështesë Qeverinë dhe komunat e Kosovës që përmes e-prokurimit të rritet transparenca dhe llogaridhënia.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha duke  prezantuar projektin për Prokurimin Elektronik, bëri të ditur se zhvillimi i platformës së e-prokurimit ka filluar në dhjetor të 2014 i financuar nga Banka Botërore që ka qenë pjesë e modernizimit të sektorit publik. Implementimi i tij ka filluar nga janari i 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat