Kosova përballë kërcënimeve të sigurisë

Kosova

Kosova përballë kërcënimeve të sigurisë

Më: 25 prill 2017 Në ora: 17:40
Foto ilustrim

Mekanizmat e sigurisë të Kosovë janë në rrjedhë të vazhdueshme të përgatitjes për përballje me çfarëdo kërcënimi eventual ndaj sigurisë së vendit, pavarësisht se nuk ka ndonjë rrezik konkret dhe të veçantë që e kanosë vendin, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendësminsitri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Valdet Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se në përputhje me rrjedhat globale, që nënkuptojnë ato rajonale dhe ndërkombëtare, në luftë ndaj ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar, mekanizmat e sigurisë së Kosovës, po i zbatojnë masat parandaluese për parandalim të çfarëdo akti që e rrezikon sigurinë e vendit.

“Nuk ka ndonjë rrezik konkret potencial, por që në pajtim me rendin e përgjithshëm botëror, gjithmonë Policia e Kosovës nuk ia krijon luksin vetes që të jetë komode. Por, duke i zbatuar strategjitë e ndryshme, sidomos atë të policimit të bazuar në inteligjencë, rri gjithmonë e përgatitur dhe në hap me kohën, që të mos gjendet e papërgatitur në situata të ndryshme të sigurisë”, thotë Hoxha.

Por njohësit e rrethanave të sigurisë në vend, vlerësojnë se Kosova përballet me kërcënime shumëdimensionale të sigurisë kombëtare dhe sigurisë njerëzore.

Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në periudhën në të cilën po hyn Kosova, gjatë këtij viti, kërcënimi kryesor për sigurinë do të jetë mosqëndrueshmëria e stabilitetit politik dhe institucional, si pasojë e mundshme e ndonjë veprimi nga brenda vendit apo edhe nga rrethanat e jashtme. Në këtë pikë, sipas Ramadanit, si rrezik potencial për kërcënim të sigurisë në Kosovë, duhet marrë parasysh veprimin e organizatave, të cilat nxiten nga qarqet jashtë Kosovës.

“Organizatat, sikurse ‘Syri i popullit’ apo organizatat e terrorizmit global, IS-i dhe të tjerat. Pastaj, nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë dhe interesi i mundshëm i Serbisë për destabilizim të Kosovës. Mbi të gjitha, po ashtu një kërcënim serioz është interesimi dhe interesi i Rusisë që Kosova të dështojë si shtet, në mënyrë që Rusia t’i fitojë argumentet në raport me perëndimin. Duhet përfshirë këtu edhe sfidimin e mundshëm të sistemit në Kosovë nga Gjykata Speciale”.

Ramadani ka shtuar selidhur me këto lloje të kërcënimeve për sigurinë kombëtare të Kosovës, nuk po duket një konsensus nacional i institucioneve dhe i elitës politike, se si të trajtohen ato veç e veç, përfshirë edhe sfidimin e mundshëm të sistemit në Kosovë nga Gjykata Speciale, e cila pritet të vihet në funksion sivjet.

Në anën tjetër, zëvendësministri Hoxha ka theksuar se në parim nuk përjashtohet asnjë pistë e preventivës apo e reagimit ndaj grupeve të ndryshme, qoftë të krimit të organizuar apo edhe të natyrave të tjera.

“Jemi dëshmitarë që kanë ndodhur edhe disa arrestime brenda vendit, për të cilat është vlerësuar se mund të jenë kërcënim për rendin dhe sigurinë publike. Në këtë kuptim, Policia e Kosovës, preventivën e saj e bazon dhe e orienton në dy drejtime, sikurse në aspektin brenda vendit, po ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar. Kështu që, pa përjashtuar asnjë variant, mekanizmi mbrojtës, në kuadër të preventivës të ndodhjes së akteve të ndryshme, ndërtohet në dy drejtime: edhe atë brenda, por edhe në aspektin ndërkombëtar”.

Edhe Ramadani shpreh besimin se institucionet e Kosovës, në aspektin operativ, kanë kapacitete të mjaftueshme për të mbajtur situatën e sigurisë nën kontroll.

“Por, nga aspekti politik dhe institucional, besoj që ka nevojë që të ketë gatishmëri dhe përkushtim më i madh politik, që të mbahet stabiliteti dhe qëndrueshmëria politike dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës”.

Rreth 10 ditë më parë, në rrugët magjistrale në Kosovë, si dhe në sheshet dhe zonat me qarkullim më të dendur të qytetarëve, ishte shtuar prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, kishte këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë pushimeve, me rastin e festës së Pashkëve, për shkak se, siç thuhej në faqen zyrtare të kësaj ambasade, “terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike”.

Në të njëjtën kohë, Këshilli për Siguri i Kosovës, përmes një komunikate për opinion, kishte paralajmëruar zbulimin e “veprimeve të disa individëve dhe grupeve të tyre”, të cilat kishin planifikuar “të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat