Protestojnë për shkak të ndërrimit të profesorit

Kosova

Protestojnë për shkak të ndërrimit të profesorit

Më: 27 prill 2017 Në ora: 14:48
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë, duke protestuar

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë, dega Farmaci, të enjten kanë protestuar duke bllokuar hyrjen e Dekanatit, në shenjë pakënaqësie për ndërrimin e profesorit për lëndët kimi analitike I dhe kimi inorganike me stekiometri.

Arba Mirena, përfaqësuese e studentëve të vitit të parë të degës së Farmacisë, tha se arsyeja që po protestojnë është për realizimin e kërkesës së tyre që ligjëratat nga lënda kimi analitike I dhe kimi inorganike me stekiometri të mbahen nga profesori Azem Lajçi.

Mirena: Humbja e mësimit na shkakton probleme

“Arsyeja se pse ne sot gjendemi këtu është pikërisht për të realizuar kërkesën tonë që e kemi bërë pothuajse që dy muaj. Kërkesa jonë është që ligjëratat nga lënda kimi analitike I dhe kimi inorganike me stekiometri të mbahen nga profesori që ka filluar me mbajt prej semestrit të parë, pra prej profesorit Azem. Arsyeja pra, se pse ne sot ndodhemi këtu është pikërisht do të thotë që ne po dëshirojmë me mbajt mësimin pasi që me humb mësimin prej një lënde që është bazike për drejtimin tonë normalisht që shkakton probleme. E kemi pothuajse edhe një muaj që na ka mbetur dhe i kemi provimet në qershor”, tha ajo.

Edhe Ardit Bilalli, student i vitit të parë në Farmaci, paralajmëroi se nuk do të mbajnë mësim me një profesor tjetër pasi që, sipas tij, studentët dëmtohen nga ndërrimi i mësimdhënësit.

Bilalli: Nuk mbajmë mësim me profesor tjetër

“Na nuk mbajmë me një profesor tjetër për arsye se na dëmtohemi nëse na ndërrohen profesori në mes të semestrit, ose kur e kemi mbajtur një lëndë komplet semestrin e dytë me u ndërruar profesori është në dëm tonin”, tha ai.

Bilalli tha se studentët nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre përderisa ato të mos realizohen.

Bilalli: jemi të vetëdijshëm që jemi duke humbur

“Na jemi të vetëdijshëm që jemi duke humbur dhe nuk jemi duke mbajtur orë, por ne kemi vendosur për arsye se e tregova edhe më herët ne jemi duke u dëmtuar, se në momentin kur ndërrohet profesori mendojmë që është në dëm të studentëve”, tha ai.

Ndërsa, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, përmes telefonit ka thënë se ndërrimi i mësimdhënësve në këtë fakultet është vendim i senatit dhe jo i fakultetit,  pasi është senati ai që zgjedh profesorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat