Thaçi: Nenet e kontestuara të Kodit Penal s’kanë dalë nga zyra ime

Kosova

Thaçi: Nenet e kontestuara të Kodit Penal s’kanë dalë nga zyra ime

Më: 3 maj 2017 Në ora: 19:27
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

(E plotësuar) -  Çdo kërcënim dhe përpjekje për të penguar punën e gazetarëve është e papranueshme për shoqërinë vendore dhe do të luftohen me forcën e ligjit, tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e Konferencës Ndërkombëtare “Prishtina Media Days”, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Organizatën SEMO.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se e ka admiruar gjithmonë punën e gazetarit, sidomos gjatë luftës kur ka parë se si gazetarët kanë rrezikuar jetën e tyre vetëm për të marrë informata dhe për ta shpërndarë atë.

Po ashtu, Thaçi tha se dënon fuqishëm çdo kërcënim ndaj gazetarëve dhe se përpjekjet për të penguar punën e gazetarëve është e papranueshme për shoqërinë.

Thaçi: Përpjekja për të penguar gazetarët, është e papranueshme

“E përgëzoj transmetuesin publik për pavarësinë redaktuese që ka ruajtur edhe përkundër përpjekjeve politike për të cenuar dhe për të ndikuar. Ftoj edhe njëherë që të mos cenohet paanshmëria e transmetuesit publik. Duhet të ruhet pavarësia financiare e këtij institucioni të rëndësishëm për demokracinë e re në Kosovë. Në të njëjtën kohë me lejoni të dënoj fuqishëm çdo kërcënim kundër gazetarëve. Përpjekjet për të penguar gazetarët në punën e tyre, kërcënimet kundër tyre, janë të papranueshme në shoqërinë kosovare dhe do të luftohen me forcën e ligjit.  Kam kërkuar që drejtësia të zbardhë fatin e gazetarëve të zhdukur, apo atyre të vrarë në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se për këtë i ka dërguar edhe letër kryeprokurorit të shtetit që të punojë për hulumtimin, hetimin dhe zbardhjen e të vërtetës për vrasjen e 13 gazetarëve apo të zhdukurve gjatë luftës dhe pas luftës shqiptarë dhe serb.

Thaçi: Asnjë propozim nuk ka shkuar nga Zyra e Presidentit

“Më lejoni edhe që këtu të përshëndes vetë mediat dhe shoqërinë civile për reagimin e menjëhershëm për ndryshimet, po ashtu fillestare të propozuar në Kodin penal që cenon lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes. Kjo rezultojë me heqjen e menjëhershme të atyre neneve nga drafti, kjo edhe njëherë dëshmoi fuqinë e mediave dhe debatit të lirë. Ndërsa sa për informimin tuaj, të gjitha ato propozime apo asnjë nga ato propozime nuk ka shkuar nga Zyra e Presidentit, nga ata që kanë kërkuar tërheqjen e këtyre më vonë nga ata kanë dalë ato propozime. Prandaj edhe involvimi i Zyrës së Presidentit ka qenë një fake news nga ata që e kanë plasuar”, tha ai.

Ai tha se në Kosovë nuk do të kalojë asnjë ligj që cenon lirinë e shprehjes dhe të drejtave për t’u informuar.

Ish-zëvendëskancelari i Austrisë, Erhard Busek, tha se gjithmonë ka shpresuar që e vërteta dhe mençuria po rriten dhe se beson që lajmet e rrema janë realitet.

Busek: E vërteta dhe mençuria po rriten

“Gjithmonë kam shpresuar që e vërteta dhe mençuria gjithmonë po rriten edhe pse ndoshta nuk besoj që po ndodh më të vërtetë, mendoj që lajmet e rreme janë realitet. Për shembull gjithmonë në mëngjes e ndezi ndonjërën nga mediat, televizion apo radio për të marrë mesazhet, apo gjërat e fundit të presidentit dhe diku i ka gjithmonë i ka diku 140 fjalë dhe kjo është një lloj mençurie e re, një lloj e vërtete e re, të cilën ai po e dërgon. Por nuk është i vetmi, nuk po dua me fajësua atë, ka edhe të tjerë që bëjnë të njëjtën punë në drejtime të ndryshme për një kohë të gjatë dhe ne duhet të përballemi me këtë. Nëse e shikojmë këtë kjo ka ndikim në jetën tonë, mendoj se këtu vjen ajo rëndësia e mediave. Unë gjithmonë them fjalën që është thënë nga Sokrati, ku ai ka thënë se demokracia shkon deri sa shkon edhe zëri”, tha ai.

Gjithashtu, ish zëvendëskancelari tha se ka respekt për të arriturat e Kosovës dhe tha se për të ndërtuar një shtet të ri nuk është një punë e lehtë. Po ashtu, ai tha se ka admirim për Qeverinë e Kosovës dhe për të gjithë ata që janë në pozita menaxheriale.

Sipas tij, gjatë kësaj konferencë është e rëndësishme që të theksojnë që mediat janë ndërmjetësues dhe duhet ta theksojnë që po shkojnë në drejtim të ndërmjetësimit.

Image
Ish-zëvendëskancelari i Austrisë, Erhard Busek

Busek: Gazetaria nuk është punë e lehtë

“Gazetaria nuk është punë e lehtë, presidenti me të drejtë e tha numrin e gazetarëve të vrarë, coftë shqiptarë apo serb, nëse e shikojmë numrin e gazetarëve të vrarë nëpër gjithë botën është shumë i lartë, prandaj duhet ta kuptojmë edhe një herë që gjuha është një luftë është një luftë globale, në një formë të veçantë, prandaj duhet të bëjmë gjithçka që ta qetësojmë dhe ta menaxhojmë. Këtu gazetarët luajnë një rol shumë të rëndësishëm, ju jeni bartësi i mesazhit, kështu që ne duhet ta shikojmë rëndësinë e mediave botërore. Nëse shikojmë fjalën media, media nënkupton fjalën ndërmjetës dhe  nganjëherë mediat fatkeqësisht përdoret për konfrontime apo përdoret gjuha, e cila nuk kuptohet mes vete, prandaj e rëndësishme gjatë këtij takimi është që të theksojmë që dëshirojmë të shikojmë në drejtim të ndërmjetësimit”, tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i Universitetit të Vjenës, Thomas Bauer tha se është shumë i kënaqur që sheh interesimin e studentëve të Kosovës për të përcjellë këtë konferencë.

Bauer:  Është shumë e rëndësishme që kemi kaq shumë panelistë

“Kam kënaqësinë të shoh studentë dhe interesimin e tyre për përcjelljen e kësaj konference. Është shumë e rëndësishme dhe më vjen mirë që kemi kaq shumë panelistë nga vende të ndryshme. Në universitete të tjera kur kemi organizuar nuk kemi pasur kaq numër, kjo i jep kuptim edhe Universitetit por edhe Kosovës”, tha ai.

Ai tha se “Prishtina Media Days” është një mundësi shumë e mirë që  t’i mbushin boshllëqet mes shkencës dhe praktikave, raporton KosovaPress.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i SEEMO-s, Oliver Vujoviç tha se kusht për integrim në BE, është respektimi i standardeve të lirisë së shtypit dhe të shprehjes.

Vujoviç: Është e rëndësishme që presidenti mendon për lirinë e shtypit

“Kur flasim për gjendjen e medias, për mediat në këtë ditë, në ditën ndërkombëtare të lirisë së shprehjes duhet të jetë e vështirë për mua sepse presidenti përmendi shumë pikë, është e rëndësishme që presidenti i shtetit mendon për demokracinë, për lirinë e shtypit. Kjo është e vetmja mënyrë që të integrohen në BE, një ndër kushtet e BE-së është respektimi i standardeve të lirisë së shtypit dhe shprehjes”, tha ai.

 Ai shtoi se është e rëndësishme që në këtë kohë kur po ndodhin sulmet ndaj gazetarëve, që shteti, policia dhe prokuroria të mbrojnë gazetarët.

“Prishtina Media Days” është konferencë ndërkombëtare, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Organizatën SEMO. I gjithë ky organizim është bërë në kuadër të aktiviteteve të Degës së Gazetarisë për Ditën e Lirisë së Shprehjes.

Thaçi: Nenet e kontestuara të Kodit Penal s’kanë dalë nga zyra ime

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka folur rreth dy neneve të shumëpërfolura të projektligjit për ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës.

Ai ka thënë se këto nene nuk kanë dalë nga zyra e presidencës.

Madje, Thaçi edhe shprehi falënderimin e tij për shoqërinë civile dhe mediat për rolin e tyre që të merret vendimi për heqjen e tyre.

Thaçi këto komente i bëri në hapjen zyrtare të konferencës ndërkombëtare “Prishtina Media Days”.

Ai po ashtu shprehi admirimin e tij për punën e gazetarëve dhe poashtu bëri ftesë që mos cenohet paanshmëria e gazetarëve.

“E kam admiruar gjithmonë punën e gazetarëve, duke parë si ata e bëjnë punën duke e vënë në rrezik dhe jetën. Ftoj që të mos cenohet paanshmëria, të njëjtën kohë dënoj fuqishëm çdo kërcënim ndaj gazetarëve. Kam kërkuar që drejtësia të hulumtojë për 13 gazetarët e vrarë gjatë luftës dhe pas”, ka thënë ai në fjalën e tij.

Thaçi uron gazetarët për 3 maj, thotë se kërcënimet ndaj tyre janë të papranueshme

Presidenti Hashim Thaçi ka uruar gazetarët për 3 majin, Ditën e Lirisë së Shtypit. Ai tha se shpreh mirënjohje për punën e gazetarëve në Kosovë.

“Liria e shtypit, e cila në kuptimin më të gjerë përfshin lirinë e shprehjes së mendimit dhe të drejtën për t’u informuar është një nga liritë themelore të njeriut dhe ndër më të dëshiruarat. Përpjekjet për të realizuar këtë liri janë përpjekje që nderojnë historinë e kulturës njerëzore”.

“Ju përgëzoj për pavarësinë dhe integritetin profesional që keni ruajtur. E përgëzoj edhe transmetuesin publik për pavarësinë redaktuese që ka ruajtur, përkundër përpjekjeve të politikës për ta cenuar dhe për ta ndikuar”.

“Përpjekjet për të penguar gazetarët në punën e tyre, kërcënimet kundër tyre, janë të papranueshme në shoqërinë kosovare dhe do të luftohen me forcën e ligjit”.

“I përgëzoj organet e rendit dhe ligjit që kanë vepruar menjëherë kundër atyre që guxojnë të kërcënojnë gazetarët. Kam kërkuar edhe që drejtësia të zbulojë fatin e gazetarëve të zhdukur apo atyre të vrarë në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës”.

Thaçi këto komente i ka bërë në hapjen zyrtare të konferencës ndërkombëtare “Prishtina Media Days”, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe me Southeast European Media Organization (SEEMO), si dhe është mbështetur nga Zyra e Presidentit.

Image
Pamje nga konferenca
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat