Momenti kur punëtorja e pastrimit i gjen 1,000 euro dhe i dorëzon në Polici

Kosova

Momenti kur punëtorja e pastrimit i gjen 1,000 euro dhe i dorëzon në Polici

Më: 3 maj 2017 Në ora: 23:35
Raze Baçaj ka rrëfyer ngjarjen që ka ndodhur javën e kaluar

Gjesti i punëtores së pastrimit të Komunës së Deçanit ka befasuar për të mirë banorët e kësaj ane. Ajo nuk i ka përvetësuar këto para por menjëherë ua ka dorëzuar zyrtarëve policorë.

Kallxo ka siguruar video incizimin e kamerave të sigurisë së objekti komunal, në të cilat shihet se si një qytetari i bien paratë nga xhepi, të cilat më pas i gjen Raza dhe i dorëzon te policët.

Raze Baçaj ka rrëfyer ngjarjen që ka ndodhur javën e kaluar.

“Tu ardh me shku anej në Drejtorinë e Kadastrës ku pastroj, i kam pa paret. Unë jam shku për m’i marr për letër jo pare. Kur i kam kap në dorë që jam afruar ngat e kam pa që janë pare 1,000 euro, dy nga 500, palë njëra mbi tjetrën, po jo fletë me fletë po si të shfletuar pak”, tregon zonja Baçaj.

Ajo tregon se pasi i kishte gjetur këto para fillimisht i kishte pyetur disa të persona se mos rastësisht u kanë rënë atyre.

“I kam kap paret në dorë edhe kam shkuar drejt shkallëve përpjetë edhe jam ardhë tek dixhej (DJ) këtu. Mirëdita, mirëdita, thash a janë qeto pare të juve thanë jo. Policia kenë tu ardhë, jam zhdjergur apet shkallëve teposhtë, policia janë ardhë, jam takuar me ata këtu. Ju thash mirëdita, thanë mirëdita, i thash qeto pare i gjeta qetu, e polici tha: Bravo të koftë tha”, shpjegon rastin ajo.Edhe përkundër gjendjes jo të mirë ekonomike, Raze Baçaj tha se asnjëherë nuk i kishte shkuar ndërmend t’i përvetësojë paratë e gjetura.

“E dua vetëm djersën e hapave të mi se jo, edhe nuk është hera e parë që po gjej pare po më ka ra rasti edhe në Pejë kam gjetur e kam pritur vetë personin kur e kam parë qe i kanë ra edhe ia kam kthy”, tha Baçaj.

E kamerat e sigurisë kishin bërë të mundur që të identifikohet personi të cilit i kishin rënë paratë e gjetura nga Raze Baçaj.

Disa ditë më vonë, pas verifikimit se të kujt ishin paratë, Policia ia ktheu pronarit.

Qëndrim Musaj tha se për shkak të pakujdesisë i kishin rënë këto para. Ai thotë se nuk kishte besuar se do t’ia kthejë kushdo që do t’i gjente.

Qëndrimi i është tepër mirënjohës zonjës Baçaj.

“I kam thënë edhe zonjës se shumë po ndihna mirë se e keni bërë një gjest kaq human edhe se kjo i shërben krejt Deçanit edhe krejt popullit shqiptar me tregu na sa human jemi. Kem qenë kështu brez pas brezi dhe vazhdojmë me qenë kështu”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat