Gjykimi për vjedhjen e 47 mijë eurove

Kosova

Gjykimi për vjedhjen e 47 mijë eurove

Më: 8 maj 2017 Në ora: 10:54
Gjykata e Ferizajt

U dha fjala përfundimtare në gjykimin e Kushtrim Gavazit dhe Alburim Ahmetit, të akuzuar për vjedhje të rëndë.Në gjykimin e Kushtrim Gavazit dhe Alburim Ahmetit, të akuzuarve për vjedhje të parave, arit dhe një arme në një shtëpi në fshatin Greme të Ferizajt gjatë vitit të kaluar, u dha fjala përfundimtare.

Gavazi e Ahmeti akuzohen se bashkë me Adhurim Aliun dhe Gëzim Ahmetin në Lagjen e Spahijve të fshatit Greme të Ferizajt më 21 tetor 2016 pasi thyen xhamin e pjesës së pasme të shtëpisë së Dashnim Kosumit, vodhën nga aty 47.000 euro, 280 franga zvicerane, stoli ari në vlerën prej 2.000 eurove dhe një pistoletë të markës PHPMV të prodhimit kroat me 7 fishekë të kalibrit 9 milimetra.

Jeton Berisha, përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar tha se paratë e vjedhura po i duheshin Dashnim Kosumit për zhvillimin e biznesit të tij të prodhimit të mobilieve.

“Dashnim Kosumi ka qenë pronar i një fabrike të mobilieve në fshatin Greme të Ferizajt, ku ky i fundit kishte filluar të mblidhte disa para për zhvillim të biznesit të tij. Parat e mbledhura nga Kosumi ishin para të marra hua nga miq të ndryshëm, kredi dhe prej  kursimeve”, tha Berisha.

Avokati foli edhe për stresin dhe ankthin që përjetoi i mbrojturi i tij pasi iu vodhën paratë, duke kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen.

Shpalljen fajtorë dhe dënimin e të akuzuarve e kërkoi edhe prokurori Valdet Avdiu.

Avokatët e të akuzuarve thanë se gjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që klientët e tyre kanë kryer vjedhjen e rëndë.

Avni Ibrahimi, avokati i Kushtrim Gavazit mohoi se i mbrojturi i tij ka vjedhur revolen nga shtëpia ku ndodhi plaçkitja.

“Klientit tim i është  bërë dhuratë arma e vjedhur në vendin e ngjarjes nga i pandehuri Gëzim Ahmeti me qëllim që t’i largojnë gjurmët nga vetja e tyre së bashku me Adhurim Aliu”, tha avokati Ibrahimi.

Më herët pjesë e këtij procesi ishin edhe Gëzim Ahmeti e Adhurim Aliu, por procedura ndaj tyre është veçuar pasi ata kanë pranuar fajësinë.

Shpallja e aktygjykimit për të akuzuarit Kushtrim Gavazi dhe Alburim Ahmeti do të bëhet më tetë maj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat