Nderohen të rënët në Rahovec

Kosova

Nderohen të rënët në Rahovec

Më: 12 maj 2017 Në ora: 17:38
Busti i Milaim Krasniqit, dëshmori i parë rahovecian

Në kuadër të “Javës së Dëshmorëve dhe Heronjve të Komunës së Rahovecit”, sot u mbajt akademi solemne dhe program kulturor-artistik.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, me këtë rast tha se sot po kujtojnë Milaim Krasniqin dëshmorin e parë rahovecian dhe të gjithë dëshmorët tjerë që ranë për liri. Ai theksoi se dëshmori Krasniqi u bë themel i lirisë në Rahovec, ndërsa veçoi edhe liridashësin e kombit shqiptar Ukshin Hoti.

Kryetari Vehapi tha se historia e shqiptarëve është plot luftëra dhe djemtë e Rahovecit që kanë rënë dëshmorë në luftën e fundit janë viganë të lirisë.

Vehapi: Lufta ishte për t’i dhënë grushtin e fortë robërisë pushtuese

“Te ne shqiptarët shumë breza kanë jetuar e kanë vdekur me këtë dëshirë kanë lënë amanete te brezi i ri që mos e ndalin luftën për t’i dhënë grushtin e fortë robërisë pushtuese. Shpirtrat e dëshmorëve, heronjve e martirëve janë dorëzuar amshimit me një çmim të lartë. Prandaj, historia e shqiptarëve është plot luftëra, dëshmorë, martirët të pa numër. Shumë lavdi e legjenda. Të nderuar të pranishëm, Bedrushi, Feimi, Mensuri, Toni, Mici, Milaimi dhe shumë shokë të tyre vendosën të mos lënë më amanet luftën për liri. Ata ishin të vendosur që kësaj kauze t’i jepnin epilogun e dëshiruar ndër shekuj”, tha kryetari Vehapi.

Kryetari i Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Hysni Gucati tha se historia e lavdishme e shqiptarëve është e vulosur me sakrificën e dëshmorëve që ranë në luftën e fundit.  Sipas tij, amanetin e të rënëve për liri duhet bërë realitet.

Gucati: Rruga e lirisë u ndërtua me gjakun e dëshmorëve të kombit

“Ne sot ndihemi krenarë që i kemi takuar një ushtrie kaq të lavdishme, një ushtrie që kishte në radhët e veta luftëtarët të paepur siç ishte komandanti legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Toni e Mici dhe shumë e shumë dëshmorë të kombit, të cilët e dhanë shembullin më të mirë se si duhet luftuar për atdheun. Rruga e lirisë dhe faqet e ndritura të historisë sonë janë të ndërtuar me gjakun e dëshmorëve të kombit dhe për t’u nisur këtyre rrugëve të lavdisë atdheu ynë kishte nevojë më shumë se kurrë për burrëri, trimëri, kishte nevojë për një forcë dhe për një gjeneratë të guximshme për një rini të betuar për fitore”, theksoi Gucati.

Kryetari i Shoqatës së UÇK-së për Rahovec, Vajdin Berisha me këtë rast duke kujtuar të rënët tha se veprat e tyre janë të lavdishme.

Me rastin e Ditës së Dëshmorëve sot në Rahovec dhe Ditës së shkollës “Milaim Krasniqi” në fshatin Pastasel të Rahovecit u zbulua busti i dëshmorit Milaim Krasniqi, i cili ra dëshmor  më 12 maj 1998.

Kryetari Vehapi tha se busti që u zbulua sot do të jetë një udhërrëfyes për nxënësit e shkollës e Pastaselit dhe Rahovecit.

Vehapi: Busti i Milaimit do të jetë një udhërrëfyes për nxënësit

“Bustin e Milaimit për ta zbuluar këtu para jush, para nxënësve dhe familjarëve për neve do të jetë një ditë, e cila do të shënohet në kujtimet tona më të mira për jetën tonë, por njëkohësisht busti i Milaimit do të jetë një udhë-rrëfim për nxënësit, të cilët do të kalojnë në këtë shkollë për ata që janë tani dhe ata që do të vijnë”, tha ai.

Ramadan Krasniqi në emër të familjes së dëshmorit Milaim Krasniqi, tha se  dëshmorët nuk janë vetëm të familjeve, por të gjithë Kosovës.

Krasniqi: Dëshmorët nuk janë vetëm të familjes, por të gjithë Kosovës

“Kjo punë nuk na nderon vetëm neve si familje, por të gjithë fshatin, sepse dëshmorët nuk janë vetëm të familjes, por të gjithë Kosovës. Ju uroj ditën e shkollës meqenëse kjo mban emrin e dëshmorit të parë në komunën e Rahovecit. Besojmë se në të ardhmen do të jetë në listën e shkollova me të mira në vend”, theksoi Krasniqi.

Po ashtu, zyrtarë komunalë, ish luftëtarë dhe qytetarë të shumtë sot që në orët e para të ditës bënë homazhe dhe nderime pranë lapidarëve, varrezave të heronjve në Komunën e Rahovecit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat