Hidhet poshtë aktakuza ndaj Ramë Bujës

Kosova

Hidhet poshtë aktakuza ndaj Ramë Bujës

Më: 16 maj 2017 Në ora: 09:27
Ramë Buja

Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes për hedhje poshtë të aktakuzës ndaj ish-ministrit të Arsimit Ramë Buja.

Ish-ministri i Arsimit Ramë Buja nuk do të duhet të paraqitet më në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi që aktakuza që e ngarkonte për keqpërdorim të detyrës zyrtare është hedhur poshtë.

Gjyqtari i këtij rasti, Valon Kurtaj ka pranuar kërkesën për hedhje të aktakuzës të paraqitur nga mbrojtja e Bujës dhe të akuzuarit tjetër të këtij rasti Xhavit Dakaj.

Lajmin për hedhje poshtë të aktakuzës për KALLXO.com e konfirmoi avokati i Bujës, Petrit Dushi.

“Gjykata e ka pranuar kërkesën tonë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave”, tha Dushi për KALLXO.com

Dushi tha se procedura ka pushuar edhe ndaj ish-sekretarit të MASHT-it, Xhavit Dakaj.

Të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 7 mars, ndërsa kishin kundërshtuar aktakuzën dhe kishin kërkuar hedhjen e saj në seancën e mbajtur më 11 prill.

Ramë Buja si ministër i Arsimit dhe Xhavit Dakaj në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, akuzoheshin  se me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët, më 11 maj 2012 arritën marrëveshje me kompaninë “Alb-Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15 maj 2009 dhe aneks-kontratës të datës 16 maj 2011.

Sipas aktakuzës, kjo është bërë pa një procedurë të re dhe me nënshkrimin e tyre kanë shkelur detyrimet që i kanë pasur në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik.

Edhe Xhemajl Buzuku në cilësinë e drejtorit të prokurimit në MAShT, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit për vete, apo për të tjerët më 15 maj 2009 ka lidhur kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect” për Projektin “Mbikëqyrja Profesionale e Objekteve Kapitale të Ndërtuara nga MASHT”.

Pjesë e aktakuzës është edhe Afrim Demiri, drejtor i kompanisë “Alb-Architect”

Sipas aktakuzës që u lexua nga Ali Rexha, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Demiri në ditën e pacaktuar në vitin 2009 në Prishtinë në cilësinë e drejtorit të kompanisë “Alb-Architect” në ofertën që e ka paraqitur MASHT-i për tenderin e mbikëqyrjes profesionale të objekteve të ndërtuara, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme nga fondet publike ka përpiluar kontrata të rreme për 30 persona, gjoja se këta ekspertë, inxhinierë të diplomuar kanë lidhur kontratë pune me kompaninë e të pandehurit.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë në aktakuzë,  këto kontrata janë përdorur me qëllim të shfrytëzimit si dokumente origjinale në ofertën e tij dhe me këto kontrata të rreme ka arritur që t’i vë në lajthim Komisionin e Vlerësimit të këtij tenderi që t’i vlerësojnë si të vërteta dhe të fitojë kontratën, sepse të njëjtat janë kërkuar si kriter në dosjen e tenderit nga autoriteti kontraktues.

Sipas aktakuzës, Demiri me këto veprime ka kryer veprën penale-mashtrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat