Rahoveci feston ditën e çlirimit

Kosova

Rahoveci feston ditën e çlirimit

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 14:59
Perkujtimi i deshmoreve ne Rahovec

Me një minutë heshtje u përkujtuan të gjithë dëshmorët e rënë për çlirimin e Rahovecit në një akademi përkujtimore të organizuar për nder të kësaj dite.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi gjatë fjalimit të tij tha se madhështinë e dëshmorëve e zë vetëm historia dhe ajo do i trajtojë me dashurinë e brezave përjetësisht.

Vehapi: I kujtojmë heronjtë në ditë të veçanta

 "Toni e Mici, Feimi e Bedrushi, Mensuri dhe shumë e shuëe djem të tjerë u bënë heronj dhe dëshmorë të Kosovës...Ne i kujtojmë për ditë heronjtë dhe dëshmorët por në ditë te veçanta si kjo ata na bëhen aq të mëdhenj sa imagjinata jonë nuk i përthekon dot", tha ai.

 Ai shtoi se në këtë ditë përkujtohen edhe nënat dhe gratë e djemve dhe burrave që ranë për liri.

Vehapi më tej tha se duhet të forcohet Kosova dhe të  punohet që gjithnjë të nderohen  dëshmorët që ranë për lirinë e vendit.

Vehapi: Me punë i nderojmë dëshmorët

 "Ta forcojmë Kosovën sepse kështu do ta bëjmë edhe më të sigurt dhe më të dëshirueshme për të jetuar. Duke punuar i nderojmë të rënët siç i nderojmë edhe miqtë tanë ndërkombëtar që nuk na lanë vetëm na ditë të vështira", tha Vehapi.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, dega në Rahovec, Vaidin Berisha rrëfeu disa momente gjatë luftës për çlirimin e Rahovecit.

Berisha: Në fushë të nderit ranë dëshmorë nga të gjitha trojet

“Në fushë të nderit ranë dëshmorë nga të gjitha trojet madje patëm dëshmorë edhe nga Shkodra. Luftimet e përgjakshme u zhvilluan në tërë gjeografinë e komunës tonë, muaji tetor është muaji i i riorganizimit të brigadës 24 nën udhëheqjen e heronjve të kombit të udhëhequr nga gjeneralët, Xhelal Hajda ‘Toni’  dhe Selajdin Mullabazi ‘Mici’”, tha ai.

Ai tha se që nga 14 qershori 1999 Rahoveci frymon lirshëm dhe se në këtë ditë përkujtohen të rënët për liri.

Gjatë ditës kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi së bashku me përfaqësues dhe familjarë të dëshmorëve kanë vizituar varrezat dhe lapidarët e heronjve, Xhelal Hajda me nofkën "Toni" dhe "Seljadin Mullabazi "Mici", Mensur Zymberaj "Pesëqindëshi" dhe Sheh Muhedini.

Me rastin e Ditës së Çlirimit të Rahovecit u ndan mirënjohje postmortum për ish delegatët:Mustafë Kasapi, Jahja Shehu, Shazije Vuçitërrna, Gani Mullaabazi, Elmaze Berisha. Po ashtu mirënjohje janë ndarë edhe për  kontribuues të arsimit, sportit, kulturës, e  bizneseve të Rahovecit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat