Qe 15 vjet, dy prona komunale në Podujevë shfrytëzohen pa paguar asnjë cent

Kosova

Qe 15 vjet, dy prona komunale në Podujevë shfrytëzohen pa paguar asnjë cent

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 18:00
Komuna e Podujevës

Raporti i Auditorit ka gjetur shkelje të shumta në komunën e Podujevës. Duke filluar që nga shfrytëzimi i pronave publike, kontratat për shërbime të veçanta e deri te realizimi i buxhetit.

Në Komunën e Podujevës janë evidentuar dy raste kur pronat komunale shfrytëzohen me qira dhe pa kontrata valide. Madje shfrytëzuesit nuk kanë paguar asnjë vent që nga viti 2001-2002 për këto prona, edhe pse ngarkesa të cilën komuna ua ka bërë shfrytëzuesve të këtyre dy parcelave është 40 mijë e 767 euro.

“Në dy raste është vërejtur se pronat komunale shfrytëzohen me qira, pa kontratë valide të nënshkruar ndërmjet komunës dhe shfrytëzuesit. Për më tepër shfrytëzuesit nuk kanë bërë asnjë pagesë edhe pse pronat i shfrytëzuan që nga viti 2001 përkatësisht 2002. Ngarkesa të cilën komuna u ka bërë shfrytëzuesve të këtyre dy parcelave është 40,767€”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Rast i njejtë është edhe me një pronë tjetër e cila i është lëshuar një biznesi. Edhe pse kontrata ishte me pagesë ëpr 300 euro në mauj, edhe ky shfrytëzues nuk ka bërë asnjë pagesë gjatë vitit.

“Komuna, sipas kontratës të datës 17.04.201210 ka dhënë me qira në shfrytëzim pronën komunale për veprimtari biznesi (300€ në muaj). Mirëpo, shfrytëzuesi i pronës publike nuk kishte bërë asnjë pagesë gjatë vitit. Komuna nuk ka marr asnjë veprim për inkasimin e qirasë si dhe nuk ka shkëputur kontratën. Ndonëse me kontratë është e përcaktuar se, nëse qiramarrësi nuk paguan qiranë për tre muaj rresht, komuna duhej ta shkëpusë kontratën dhe ta kthente pronën nën menaxhimin e saj, kjo nuk ka ndodhur”, ka gjetur Auditori.

Shkelje tjetër e gjetur është edhe lëshimi i kontratave të veçanta nga komuna. Podujeva ka angazhuar 24 zyrtarë me kontrata për shërbime të veçanta, kurse nga tri mostra është vëretuar se komuna ka angazhuar këta punëtor më gjatë se gjashtë muaj, çka nuk është në pajtim me ligjin.

Dobësi janë evidentuar edhe te menaxhimi i subvencioneve dhe në sistemin e prokurimit.

“Rregullorja aktuale e brendshme për subvencione nuk përmban kërkesa specifike për mënyrën e monitorimit të subvencioneve të dhëna”.

“Nga testimet është vërejtur se vendimet për: caktimin e komisioneve për vlerësimin e ofertave, Menaxherin e kontratës, Formimin e komisionit për pranimin e pasurisë jo financiare, dhe Komisionin për pranim teknik, i ka emëruar menaxheri i prokurimit, e jo ZKA i cili ka këtë përgjegjësi. Në një rast për projektin ndërtimor “Asfaltimi i rrugës Podujevë-Livadicë dhe ndërtimi i urës mbi lumin Dumnica në fshatin Livadicë”, komuna kishte filluar procedurat e prokurimit pa bashkangjitur projektin ekzekutiv siç kërkohet me UA 01/2014 të KRPP-së. Po ashtu, ka raste kur urdhërblerja është bërë pas pranimit të faturës nga operatori ekonomik”, thuhet në raport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat