Njoftimi për Lavdrim Muhaxherin, shkarkohet kryetari i BIK në Kaçanik

Kosova

Njoftimi për Lavdrim Muhaxherin, shkarkohet kryetari i BIK në Kaçanik

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 19:47
Florim Neziraj

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Neziraj, është shkarkuar nga pozita pasi lejoi që në xhaminë kryesore të qytetit të lajmërohet vrasja e liderit kosovar të grupit terrorist ISIS, Lavdrim Muhaxheri.

Vendimin e kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për shkarkimin e Nezirajt e konfirmoi për emisionin “Jeta në Kosovë, këshilltari i BIK Vedat Sahiti.

“Kryetari i BIK në Kaçanik është revokuar sepse veprimi i tij ka qenë i pakonsultuar me kryesinë e BIK”, tha Sahiti duke iu referuar njoftimit që ishte dhënë nga xhamia në Kaçanik për vrasjen e Muhaxherit në frontet e luftës në Siri.

“Florim Neziraj është shkarkuar, tani është vetëm imam”, shtoi ai.

Njoftimi i dhënë nga xhamia e Kaçanikut për vrasjen e Muhaxherit kishte shkaktuar reagime të ashpra në opinion, ndërsa vetë Neziraj, në një intervistë për KALLXO.com kishte konfirmuar se bashkë me disa imamë nga Kaçaniku më 8 qershor, ditën kur u dha lajmi për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit, kishte shkuar për ngushëllime në familjen e tij.

Debati për ekstremizmin fetar në Kosovë dhe vrasjen e Lavdrim Muhaxherit do të transmetohet të enjten e ardhshme në emisionin “Jeta në Kosovë” në RTK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat