Auditori gjen se mjekët manipulojnë me orët e kujdestarisë

Kosova

Auditori gjen se mjekët manipulojnë me orët e kujdestarisë

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 19:48
QKUK në Prishtinë

Auditori i përgjithshëm ka gjetur disa shkelje në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), ku përfshihen të dhënat nga QKUK-ja dhe spitalet rajonale.

Njëra nga problemet kyçe në këtë institucion po del të jetë mangësia në menaxhimin e kujdestarive, ku auditori ka gjetur se mjekët manipulojnë me orët e ndërrimeve të natës.

Disa nga parregullsitë që janë gjetur janë: zëvendësimet ndërmjet stafit për mbajtjen e orëve të natës në mungesë të evidencave, drejtorët e klinikave-reparteve caktojnë dhe aprovojnë vetveten për kujdestari etj.

Janë nëntë raste të tilla të evidentuara, në QKUK dhe disa spitale rajonale, ku kujdestaritë ishin kompensuar me 1 mijë e 800 euro në mungesë të dëhmive, pasi njëri prej stafit ishte nënshkruar për të gjithë.

“Kontrata Kolektive Sektoriale (KKS) është dokument unik i cili shpjegon mënyrën e përllogaritjes së kompensimit për kujdestaritë. Ne kemi evidentuar disa mangësi që ndërlidhen me menaxhimin e kujdestarive-ndërrimeve të natës. Disa nga parregullsitë, që janë të shprehura pothuajse në të gjitha njësitë e ShSKUK-së janë: mospërputhja e planifikimeve dhe kujdestarive të realizuara, zëvendësimet në mes të stafit shëndetësorë për mbajtjen e kujdestarive-ndërrimeve të natës në mungesë të evidencave, drejtorët e klinikave-reparteve caktojnë dhe aprovojnë kujdestaritë për vetveten. Në nëntë (9) raste (dy (2) në QKUK, katër (4) në Spitalin e Prizrenit dhe tri (3) në Spitalin e Gjilanit) kujdestaritë e natës ishin kompensuar rreth 1,800€, në mungesë të dëshmive për mbajtjen e tyre. Kjo ngase, në ditarët e kujdestarive, njëri nga stafi mjekësor ishte nënshkruar për të gjithë. Mangësitë e evidentuara kanë ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit efektiv nga ana e drejtorëve të klinikave dhe reparteve dhe si pasojë e mos respektimit të KKS-së lidhur me mbajtjen dhe kompensimin e kujdestarive-ndërrimeve të natës”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Problem tjetër i theksuar është se disa pozita kryesore në këto institucione mbahen apo drejtohen nga Ushtruesit e Detyrës. Kjo praktikë vërehet sidomos në QKUK ku në 144 pozita udhëheqëese, ka ushtrues detyre.

“Një numër i madh i pozitave udhëheqëse janë të mbuluara me Ushtrues Detyre (UD). Kjo praktikë është e përhapur sidomos në QKUK, ku 144 pozita udhëheqëse mbahen me UD. Derisa të njësitë tjera ekziston një numër me i vogël i tyre. Te Spitalet e Përgjithshme tetë (8) raste dhe të Qendra Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK) dy (2) raste. Duhet theksuar se QKUK ka inicuar procedurat për plotësimin e këtyre pozitave me staf të rregullt”, ka gjetur auditori.

Në gjetjet e këtij viti është theksuar edhe çështja e avancimeve pa procedura konkurruese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat