Testi i maturës sërish del jashtë klasës

Kosova

Testi i maturës sërish del jashtë klasës

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 11:22
Testi i maturës

(E plotësuar) - Nxënësit në disa qytete të Kosovës sërish kanë arritur ta fotografojnë dhe shpërndajnë në rrjetet sociale testin e maturës, edhe përkundër asaj që i gjithë procesi u monitorua nga rreth 2100 administrues dhe rreth 600 komisionerë.

Kp ka qenë gjatë gjithë procesit në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, ku përveç disa ndryshimeve që është dashur të bëhen me testet, ku janë gabuar drejtimet nuk është shënuar ndonjë parregullsi tjetër.

Këtë e ka konfirmuar edhe udhëheqësi i komisionerëve në këtë shkollë, Xhemjal Kika.

Kika: Procesi i testimit ka kaluar pa ndonjë parregullsi

“Mund të them se çdo gjë është në rregull, nuk kam vërejtje shumë pak të vogla rreth ndonjë testi aty këtu që është ndryshuar për shembull drejtimet është gabuar edhe ato i kam përmirësuar, janë kryer, njëherë për njëherë kanë kohë edhe gjysmë ore deri tani çdo gjë ka qenë në rregull, nuk kanë pasur kurrfarë vërejte, as nga arsimtaret, as nga nxënësit, as nga dikush tjetër”, tha ai.

Ndërkaq, nxënësit Blerton Martinaj nga shkolla “Don Bosko”,  i cili iu nënshkrua provimit tha se  testi ishte mesatarisht i lehtë dhe nuk kanë pasur mundësi për kopjim apo bashkëpunim.

Martinaj: Kalova shumë mirë, testi ka qenë mesatar

“Unë në test kalova shumë mirë besoj që kam arritur me bë diçka…testi ka qenë mesatarisht nuk ka qenë as i lehtë, as i vështirë“, tha ai.

Për dallim nga Blertoni, nxënësja e të njëjtës shkollë, Era Muriqi tha se testi ishte pak i vështirë, mirëpo prapë se prapë pretë ta kalojë.

Muriqi: Ishte pak i vështirë

“Mirë edhe pse ke pak i vështirë por mirë prapë….jo jo hiq”, tha ajo.

Nxënësi Violent Hajdini nga shkolla “American School of Kosova”, tha se testi ishte shumë i lehtë, pret ta kalojë dhe nuk kanë pasur mundësi të kopjojnë.

Hajdini: Testi ishte i lehtë

“Mirë, testi nuk ke shumë i vështirë, shumë ke i lehtë …jo nuk kemi mund”, tha ai.

Në shkollën fillore ”Naim Frashëri”, në Prishtinë provimin e kanë realizuar nxënësit e shkollave private, “Don Bosko”, “American School of Kosova” dhe “Mileniumi i Tretë“.

Pjesës së dytë të Provimit të Maturës  iu nënshtruan rreth 25 mijë maturant në 201 qendra në gjithë Kosovën.

Kjo është pjesa e dytë e testit, në të cilën nxënësit i nënshtrohen kryesisht pyetjeve nga lëndët profesionale, ndërkaq rezultatet e testit pritet të publikohen më datën 3 korrik 2017.

Image
Image

Po vazhdon provimi i maturës, nuk raportohet për parregullsi

Provimi i maturës ka nisur në orën 10:00 ashtu siç edhe ishte parashikuar.

Testin po e mbajnë rreth 25 mijë maturantë në 201 qendra në gjithë Kosovën.

Në këtë pjesë të dytë të provimit, nxënësit diturinë e tyre do ta tregojnë kryesisht në lëndët profesionale.

I gjithë procesi do të monitorohet nga rreth 2100 administrues dhe rreth 600 komisionerë, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë parregullsi nga ministria e Arsimit.

Provimi do të përfundojë në orën 13:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat