Gjobë për të shtënat që mund të shkaktonin tragjedi

Kosova

Gjobë për të shtënat që mund të shkaktonin tragjedi

Më: 13 korrik 2017 Në ora: 09:35
Pallati i Drejtësisë

Jeton Musa u dënua me 400 euro për armëmbajtje pa leje. Ai kishte shtënë në aheng duke plagosur djalin e xhaxhait.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 400 euro gjobë Jeton Musën për armëmbajtje pa leje.

Musa e pranoi fajësinë menjëherë pasi prokurori lexoi aktakuzën, ndërsa premtoi se më asnjëherë nuk do të përsërisë veprime të tilla.

Ai akuzohej se në mënyrë të paautorizuar ka përdorur armën në një aheng- dasmë familjare.

Sipas katakuzës, Musa kishte shtënë disa herë në ajër me pistoletë, ndërsa nga këto të shtëna ishte plagosur fëmija Endrit Musa.

Në gjykatë, Musa shfaqi pendesë të thellë për veprimet e tij.

“Është hera e parë që ka ndodhur. Për vetë faktin që Endritin e kam djalë të axhës unë jam penduar shumë, vetë e kam dërguar në spital. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit që kam përdorur apo mbajtur armë“, tha Musa.

Edhe avokati mbrojtës Asdren Hoxha propozoi pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij.

“Me rastin e matjes se dënimit ju ftoj që të vlerësoni një nga rrethanat lehtësuese siç janë pranimi i fajësisë, hera e parë që ka ra ndesh me ligjin,faktin që ai aksidentalisht ka shkrepur armën, moshën e tij relativisht të re”, tha avokati Hoxha.

Në seancë i pranishëm ishte edhe babai i fëmijës së plagosur Musa Musa. Ai kërkoi nga gjykata që mos të dënohet Jeton Musa.

“Unë me Jetonin jemi familjarë- djem të axhallarëve dhe Jetoni punon të unë. Kisha pasë dëshirë që Jetoni të mos dënohet.Ia kam falë prej fillimit. Djali është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pajtohem që Jetonit t’i shqiptohet dënim sa më i butë”, tha Musa Musa.

Kallxo ka shkruar edhe për raste të tjera të dënimeve me burg me kusht dhe gjobë për armëmbajtje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat