Klina nuk largon uzurpatorin borxhli ndaj Komunës

Kosova

Klina nuk largon uzurpatorin borxhli ndaj Komunës

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 15:34
Salloni i Komunës së Klinës

Prona komunale e Klinës vazhdon të shfrytëzohet për vite me radhë nga një person i paautorizuar i cili ka mijëra euro borxh ndaj komunës.

Komuna e Klinës nuk ka arritur të largojë qiramarrësin në tokën komunale i cili tani për tani nuk ka kontratë valide dhe përveç kësaj ende nuk ka paguar 15, 490 euro borxh ndaj komunës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar këtë komunë që të ndërmarrë masa ndaj kësaj shkeljeje ligjore.

“Tek kontrata për qiradhënie ‘Shfrytëzimi i lokalit afarist’ ne kemi vërejtur se edhe këtë vit vazhdon shfrytëzimi i pronës komunale nga qiramarrësi, edhe pse i njëjti nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj komunës në vlerë 15,490€. Shfrytëzimi i pronave komunale në mungesë të kontratave valide, përveç që është në kundërshtim me ligjin, rrit rrezikun që këta shfrytëzues të refuzojnë obligimin financiar ndaj komunës dhe këto të hyra të mos inkasohen”, thuhet në raportin e auditimit.

Po ashtu, ZKA-ja ka gjetur se është bërë përzierje e kompetencave në mes të zyrtarëve komunalë gjatë protokollimit të urdhërpagesave.

Sipas raportit, dy zyrtarë kishin zëvendësuar njëri-tjetrin gjatë pushimeve verore duke kryer punë për të cilat nuk ishin të autorizuar.

“Gjatë testimit të dymbëdhjetë (12) pagesave në vlerë 266,905€ kemi vërejtur se urdhërpagesat ishin nënshkruar nga zyrtarët jokompetentë. Zyrtari certifikues dhe zyrtari shpenzues kishin zëvendësuar njëri-tjetrin gjatë shfrytëzimit të pushimit vjetor pa ndonjë autorizim të veçantë nga zyrtari kryesor administativ, por vetëm duke përdorur llogarinë elektronike të njëri-tjetrit, që është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, nr.02/2009 mbi Delegimin e Menaxhimit të Shpenzimeve të Organizatave Buxhetore”, thuhet në raportin e auditimit.

Vitin e kaluar “Drejtësia në Kosovë” kishte shfaqur dy hulumtime për uzurpimet e pronave publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur në raportin e saj për Klinën se në një tender për furnizim me artikuj ushqimorë për çerdhet, një thes miell me të cilin ishte furnizuar Komuna e Klinës e kishte çmimin 40 centë./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat