Për gjashtë muaj, 6 fëmijë të porsalindur të braktisur

Kosova

Për gjashtë muaj, 6 fëmijë të porsalindur të braktisur

Më: 16 korrik 2017 Në ora: 19:22
Ilustrim

Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë braktisur 6 fëmijë të porsalindur. Këto janë statistika të cilat ia kanë dhënë Radio Kosovës zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe Klinika Gjinekologjike.

Në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë bëjnë me dije se vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti, në këtë klinikë janë regjistruar 6 raste të braktisjes së foshnjave të porsalindura. Drejtoresha e Gjinekologjisë , Myrvete Paçarada, thotë së braktisja e fëmijëve bëhet më shumë nga vajzat e reja, të cilat këta fëmijë i kanë nga lidhjet  jashtë martese.

“Ndodh që vjen pacientja, thotë që jam e ndarë, dhe këtë fëmijë do ta lë. Në momentin që ajo lind fëmijën ai ndahet nga nëna dhe i dorëzohet Nenatologjisë, pastaj ne kujdesemi që t’i ndërpritet qumështi ose gjidhënia. Braktisja e fëmijëve zakonisht bëhet kur fëmijët janë jashtë martese”, tha ajo.

Ndërsa motra kryesore në Repartin e Nënatologjisë, Lushe Jusufi, tha se foshnjat e braktisura qëndrojnë 21 ditë në klinikë, pastaj Qendra për Punë Sociale i dërgon në SOS Fshatin apo edhe në familjet strehuese. “Në klinikën tonë kanë qenë 6 fëmijë të braktisur, prej tyre 3 kanë shkuar në strehim familjar dhe në SOS Fshatin e Fëmijëve, ndërsa 3 ende qëndrojnë këtu. Pastaj pas  21 ditësh fëmijët transferohen nga punëtorja sociale në qendrat për strehim”, tha Jusufi.

Ariana Shala, udhëheqëse e Qendrës Këshilluese nga SOS Fshati , Prishtinë, tha se këtë vit kemi numër me të madh të fëmijëve në krahasim me vitin e kaluar. “Këtë vit i kemi 13 foshnje të cilat janë të vendosura këtu. Në këtë vit kanë lëviz 2 fëmijë, të cilët kanë shkuar në adoptim, ndërsa të rinjtë tanë kur kalojnë në pavarësim janë në moshën 21-22 vjeçare. SOS Fshati i Fëmijëve ofron përkujdesje 24 orësh për të gjithë fëmijët e Kosovës”,  tha ajo.

Lidhur me këtë temë drejtoresha e Gjinekologjisë , Myrvete Paçarada, ka një këshillë për vajzat e reja.

“Një këshillë për vajzat e reja – mos të hyjnë në marrëdhënie pa i njohur njerëzit, le të punojnë pak me tepër me tru se sa me ndjenja, le të mësohen lidhur me kontracepsionin, dmth, më mire është ta parandalojë se sa një fëmijë që vjen në jetë e që nuk e dëshiron as baba e as nëna, e ja braktis një familjeje tjetër”, tha Paçarada. Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave, në Kosovë gjatë vitit 2016 janë braktisur gjithsej 41 fëmijë të moshave të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat