Përkujtohet gazetari Qani Mehmedi

Kosova

Përkujtohet gazetari Qani Mehmedi

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 14:29
Mbledhja komemorative në përkujtim të Qani Mehmedit

Qani Mehmedi ishte personalitet i rëndësishëm i gazetarisë kombëtare dhe bashkërendues i veprimtarive të shumta politike atdhetare.

Kështu u tha mbledhjen komemorative në përkujtim të Qani Mehmedit, të organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës.

Drejtori i RTK-së, Mentor Shala, i cili duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët dhe kolegët, tha se Qaniu ishte model dhe shkollë e cila do të ndihmojë për të quar përpara profesionin e gazetarisë.

Ai tha se Qani Mehmedi me punën e tij profesionale dhe temat që trajtonte, nderonte vetën dhe lartësonte punën e RTK-së.

Shala: Qaniu model i gazetarisë

“Radio Televizioni ynë kishte nevojë për Qaniun, për emisionet e tij identifikuese dhe ndër më të ndjekurat nga audienca e gjerë. Ai me punën e tij profesionale  me temat që trajtonte nderonte vetën e tij, nderonte dhe lartësonte edhe punën e Radio Televizionit të Kosovës. Qaniu vërtet nuk është më në mesin tonë por ne kolegët e tij kemi pasur fatin që e kishim në mesin tonë, kemi mësuar shumë prej tij përmes këshillash, idesh dhe mendimeve të tij. Qaniu përbënë një model  në gazetarinë tonë, ishte një shkollë që do të na ndihmojë  shumë për të quar edhe më pëpara profesionin e gazetarit“ tha ai.

Pjesëmarrës në këtë mbledhje komemorative ishin edhe familjarët e gazetarit tashmë të ndjerë, Qani Mehmedi.

Djali i publicistit të ndjerë, Mentor Mehmedi ka falënderuar kolegët e babit për përkrahjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë familjes Mehmedi qysh nga sëmurja e publicistit deri në vdekjen e tij.

Ai më tej tha se atij nuk i takon të flasë për kontributet e babit të tij por shtoi se do t’iu mungojë buzëqeshja, hareja dhe optimizmi i tij.

Mehmedi: Do të na mungojë buzëqeshja, hareja e babit

“Përkrahja dhe mbështetja juaj gjatë gjithë periudhës  së sëmundjes së babit gjatë vitit të fundit, ceremonisë së varrimit gjatë ditës së martë e aktiviteteve postmortore ka qenë e jashtëzakonshme, andaj iu falënderojmë nga zemra. Nuk më takon mua që të flas për personalitetin apo veprën e tij ngase janë të tjerët  që e vlerësojnë kontributin e tij intelektual dhe shoqëror në hapësirat shqiptare gjatë 40 viteve të kaluara. Na mungon buzëqeshja e tij, hareja, dhe optimizmi i përhershëm. Ai e deshi shumë jetën dhe njerëzit, andaj sot jemi këtu jo vetëm ta kujtojmë atë mirëpo edhe t’i gëzohemi jetës që e bëri dhe veprave që i la”, tha ai.

Kolegu i Mehmedit, Lekë Musolli tha se Qani Mehmedi ishte personalitet i rëndësishëm i gazetarisë kombëtare dhe bashkërendues i veprimtarive të shumta politike atdhetare.

Musolli ka shtuar se sot po e përkujtojnë një pjesë të veprës së Qaniut sepse është e pamundur të përkujtohet e gjithë jeta dhe vepra e tij.

Musolli: Qani Mehmedi, personalitet i rëndësishëm i gazetarisë

“Qaniu ishte një personalitet i rëndësishëm i gazetarisë kombëtare, padyshim Qani Mehmedi ishte njëri prej gazetarëve,redaktorëve, publicistëve më të përkushtuar dhe më profesionalistë  në fushën e mediave në Kosovë. Por ai ka edhe një anë shumë të fortë të personalitetit të tij, njeri me karakter të fortë  e me mirësi të mëdha, bashkërendues i veprimtarive të shumta politike atdhetare ishte Qaniu Mehmedi”, ka thënë Musolli.

Ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së publicistit Qani Mehmedi, të cilin para të pranishmëve e lexoi vajza e tij, Vjosa Spahiu.

Qani Mehmdi ishte laureat i Çmimit për gazetari “Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka” Çmimit ndërkombëtar “Ballkani – zemra e Evropës”, që ndahet në Prespë, gazetar i vitit në Revistën “Zëri i Rinisë”, punëtor i dalluar i Gazetës “Rilindja”. Laureat i një varg mirënjohjesh dhe shpërblimesh tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat