Komuna e Fushë Kosovës i është përgjigjur KMDLNJ-së në lidhje me reagimin që këta të fundit kanë bërë për ndërtimin e një shkolle të re.
KMDLNj ka mbështetur banorët e një lagje në Fushë Kosovë që kërkojnë që mos të ndërtohet një shkollë në lagjen e tyre.
Përgjigja e komunës për KMDLNJ-në
Bazuar në shkresën tuaj përkatësisht reagimit të një grupi të qytetarëve nga komuna jonë, lidhur me shkollën e cila ka filluar të ndërtohet, ju informojmë si më poshtë:
- Komuna e Fushë-Kosovës ballafaqohet me një shtim të madh të numrit të nxënësve për çdo fillim të vitit të ri mësimor.
- Deri më tani vetëm në Shkollën “Mihal Grameno” është rritur numri i nxënësve të regjistruar vetëm në klasat e para, për 6 paralele të reja përtej planifikimit.
- Për ndërtimin e Shkollës “Mihal Grameno” (paralele e ndarë – afër “Kompleksit 300”) janë përfillur të gjitha procedurat ligjore.
-- Është më shumë se 1 hektar hapësirë e gjelbëruar tek “Kompleksi 300” ku ata banorë nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë asgjë për ta mirëmbajtur apo për t’u kujdesur.
- Shkolla ka filluar të ndërtohet sipas standardeve.
Lidhur me dy pikat që kanë përmendur nënshkruesit e peticionit: 1.‘Rreth dëmtimit të ujësjellësit në tri ndërtesat’ dhe 2. ‘Rrezikun nga dëmtimi i kanalizimit’ ju njoftojmë se janë plotësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Janë gënjeshtra dhe trillime nga ata që kanë kohë të merren me këto punë.
- Sa për informimin tuaj ju njoftojmë se është edhe një shkollë tjetër e cila ka filluar të ndërtohet që para 6 viteve nga Ministria e Arsimit e cila ende nuk ka përfunduar dhe askush nuk ka bërë asgjë.
- Kjo është shkolla e tretë që ne e bëjmë për 4 vite.
Ju falënderojmë për interesimin tuaj dhe ju sigurojmë se asgjë nuk ka për t’u shqetësuar. Shqetësohen vetëm ata që bëjnë politikë destruktive.