Shpërblehen matematikanët e rinj që garuan në Brazil

Kosova

Shpërblehen matematikanët e rinj që garuan në Brazil

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 14:36
Arsim Bajrami dhe Shend Zhjeqi

Nxënësi i gjimnazit matematikor Shend Zhjeqi ka marr medaljen e bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematiëks që është mbajtur në Rio De Zhaniero të Brazilit.

Për këtë ai dhe katër shokë të tij, pjesëmarrës në këtë Olimpiadë u ftuan në Ministrinë e Arsimit për të marr shpërblimet që u janë ndarë.

Fituesi i vendit të tretë në Brazil Shend Zhjeqi u shpreh i lumtur për rezultatin e arritur ndërsa shpreson se viteve të ardhshme do të ketë një përkrahje me të madhe institucionale për njerëzit që arrijnë suksese në botë.

Zhjeqi: Shpresoj që vitet e tjera do të kemi përkrahje edhe më të madhe

“Sa i përket garave të matematikës, ato janë një katalizator i cili është i domosdoshëm për një vend, që të qoj nivelin e matematikës në përgjegjësi të parë. Shpresoj që ky vit do të ndikojë që në vitet e ardhshme do të ketë përkrahje më të madhe prej të gjitha gjeneratat e ardhshme”, tha Zhjeqi për KosovaPress.

I gëzuar për rezultatet e nxënësve nga Kosova në Brazil u shpreh edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Ai ka vlerësuar lart rezultatet e treguara të pjesëmarrësve dhe përkushtimin e tyre për tu kthyer me medalje nga kjo garë. Bajrami u premtoi se së shpejti për ta do të ndajnë edhe bursa të shtetit.

Bajrami: Nuk është e pamundur të ndërtojmë sistem cilësor të arsimit

“Kjo konferencë për shtyp  po mbahet me rastin e pritjes së delegacionit të nxënësve te Kosovës që kanë marrë pjesë në Olimpiadën ndërkombëtare në Brazil dhe nga ku ata janë kthyer me rezultate të lakmueshme duke përfshirë edhe medaljen e bronztë në mesin e 100 e më shumë shteteve. Ky rezultat tregon se ne kemi nxënës inteligjentë, dhe tregon që nuk është e pamundur që të ndërtojmë një sistem cilësor të arsimit në mënyrë që nxënësit tanë të jenë plotësisht të barabartë me nxënësit në anë të botës. Me këtë rast kemi pritur nxënësit dhe Ministria e Arsimit ka akorduar për ta çmime, shpërblime financiare. Po ashtu jemi duke përgatitur vendimin që ata të marrin edhe bursa shtetërore, dhe me këtë rast shfrytëzoj të falënderoj edhe shoqatën e matematicientëve për punën që e ka bërë me këta nxënës dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës, dhe institutin ‘Atom’ që ka punuar me kët a nxënës”, tha Bajrami.

Bajrami tha se  Ministria e Arsimit do të ndaj një fond të veçantë, me anë të së cilit do të mbështes këta talent jo vetëm në garat ndërkombëtare, por edhe në aktivitetet e tjera.

Kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës Muhim Lohaj, u shpreh se garat në nivel komunal dhe kombëtar organizohen garat qysh prej vitit 2008.

Sipas tij kjo po shërben edhe për garat ndërkombëtare pasi që pastaj formojnë ekipin prej 6 amtarëve të cilët përfaqësojnë Kosovën  në OIM.

Lohaj: Përmes garave përmirësohet gjendja e matematikës ne Kosovë

“Është hera e shtatë që marrim pjesë me ekipin tonë në gara ndërkombëtare, dhe posaçërisht këto dy vitet e fundit jemi shumë krenar për rezultatet që kemi arrit si një vend i vogël. Ne shpresojmë që duke organizuar gara të matematikës, do të përmirësojmë gjendjen e matematikës në Kosove, sepse rritet konkurrenca ndërmjet nxënëseve”, tha ai.

I pyetur se sa është i hapur tregu i punës për matematikanët kosovarë, ministri në detyrë  Bajrami, tha se vëmendja e matematikanëve nuk duhet të përqendrohet vetëm në mësimdhënie, pasi që zhvillimi i teknologjisë ka dhënë mundësi të reja për punë.

Bajrami: Nuk është tregu i punës për studentët e matematikës vetëm në profesionin mësimdhënës

“Ne kemi mbështetur gjimnazin Matematikor, dhe tani të gjithë nxënësit marrin bursë nga Ministria e Arsimit, për herë të parë. Ky gjimnaz është shndërruar në një institucion publik me rëndësi te veçantë. Kemi drejtime të matematikës aplikative, drejtime të kompjuterikes. Jemi në kohën e revolucionit digjital, ku matematicientët kane rol shumë të rëndësishëm. Nuk është tregu i punës për studentët e matematikës vetëm në profesionin mësimdhënës. Është industria digjitale, është koha  e një revolucioni kibernetik ku këta nxënës  mund të jenë shumë të dobishëm”, tha Bajrami.

Ministria e Arsimit ka shpërblyer Shend Zhjeqin me  1000 euro, nxënësit Ardita Berisha dhe Viktor Ahmeti u shpërblyen me nga 500 euro, kurse nxënësit Alban Elezi dhe Flutura Shabani me nga 300 euro. Nxënësit, po ashtu u shpërbylen edhe me nga një Giftkardë, në vlerë prej 99 euro, me të cilën mund të pajisen me titujt të ndryshëm, në njërën nga libraritë e kryeqytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat