Veliu-O'Connell: Kosova sa më shpejt të ndërtojë institucionet

Kosova

Veliu-O'Connell: Kosova sa më shpejt të ndërtojë institucionet

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 15:49
Takimi mes Veliut dhe O'Connell

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, priti sot në një takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell, me të i cilin ka biseduar për gjendjen aktuale në vend, si dhe bashkëpunimin e komunës së Podujevës me shtetin britanik.

Me këtë rast, kryetari Veliu e informoi ambasadorin britanik për investimet e bëra në Komunën e Podujevës.  

“Podujevën dhe Britaninë e Madhe nuk e lidh vetëm miqësia krijuar përmes pranisë së ushtarëve britanikë të KFOR-it, por edhe një miqësi e përhershme e ndërtuar përmes bashkëpunimit në projekte të ndryshme me interes për qytetarët e Komunës së Podujevës”, tha Veliu.

Veliu tha se një bashkëpunim i veçantë mes Podujevës dhe Mançesterit të Britanisë është ndërtuar përmes Organizatës “Manchester Aid to Kosovo”, ku është realizuar projekti i ndërtimit të Parkut të Paqes në Podujevë.

Gjatë takimit u tha se bashkëpunimi i Podujevës me Britaninë e Madhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në fusha të ndryshme.

Kryetari Veliu dhe ambasadori O'Connell biseduan edhe për gjendjen aktuale politike në vend, me ç’rast vlerësuan se Kosova sa më shpejt duhet të ndërtojë institucionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat