Kështu do të jetë moti në vikend, mos dilni pa çadër

Kosova

Kështu do të jetë moti në vikend, mos dilni pa çadër

Më: 19 gusht 2017 Në ora: 09:41
Ilustrim

Gjatë ditës së shtunë Kosova do të jetë nën ndikimin e masave të nxehta ajrore nga Afrika veriore, por nga dita e diel, një front i ftohtë që do të kaloj mbi rajon do të sjellë përkeqësim të motit me reshje shiu dhe rënie të theksuar të temperaturave në fillim të javës së ardhshme.

Të shtunën do të mbajë mot i nxehtë dhe kryesisht me diell. Të dielën, me afrimin e sistemit frontal nga veriperëndimi, vranësirat pritet të shtohen, e pasdite vonë dhe në mbrëmje priten reshje lokale shiu me bubullima.

Reshjet e shiut me bubullima, vende-vende do të vazhdojnë edhe gjatë natës dhe herët në mëngjes gjatë ditës së hënë. Të hënën do të mbajë mot më i ftohtë, kryesisht i vranët, kohëpaskohe me riga lokale shiu, shkruan PrishtinaWeather.

Të martën do të mbajë mot i freskët, kryesisht me vranësira, paradite me reshje më të qëndrueshme shiu, e gjatë ditës kohëpaskohe me riga lokale shiu. Të mërkurën, pritet përmirësim i motit dhe intervale më të gjata me diell.

Të shtunën temperaturat do të jenë ende në rritje, me maksimale deri në 32C, ndërsa të dielën do të arrijnë deri në 29C. Minimalet do të luhaten nga 14C deri në 16C.

Me depërtimin e masave të ftohta ajrore në fillim të javës së ardhshme, temperaturat do të pësojnë rënie të theksuar në të dy vlerat. Minimalet do të zbresin deri në 8C, e maksimalet deri në 21C.

Të shtunën do të fryjë erë e lehtë nga jugperëndimi 1-2m/s, e nga dita e diel, mesatarisht e fuqishme nga veriu-verilindja 4-11m/s.

Shtypja atmosferike do të pësojë rënie të lehtë rreth vlerave normale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat