Shkodran Imeraj ftesë Presidentit për pronat shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan

Kosova

Shkodran Imeraj ftesë Presidentit për pronat shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan

Më: 20 gusht 2017 Në ora: 10:59
Shkodran Imeraj

Çështja e pronave të Manastirit të Deçanit është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 20 majit 2016, ia kaloi në pronësi Manastirit 24 hektarë tokë të Ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.

Edhe pse ka pasur shumë reagime edhe më herët rreth këtij vendimi, kjo çështje sërish është aktualizuar.

Ish-nënkryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, Shkodran Imeraj, kërkon nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që të reflektojë dhe të mos lejojë zbatimin e vendimeve që janë marrë mbi bazën e vendimeve të kohës së Millosheviqit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës e ka autoritetin kushtetuese që në mbështetje të nenit 84, pika 9, të e kërkoj referimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pasi që vendimi i kësaj gjykate nr.943/16, i datës 20 maj 2016, mbështetet në vendimet e vitit 1993 dhe 1997 që kishin marrë institucionet serbe, ligje dhe vendime këto të cilat janë të pazbatueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.

Ai ka ftuar edhe deputetët e rinj që të iniciojnë shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për shkak të marrjes së vendimit të 20 majit 2016.

“Po ashtu, ftoj deputetët e rinj të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në mbështetje të nenit 65, pika 11, të propozojnë shkarkimin e gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pasi që me vendimin nr.943/16, i datës 20 maj 2016, ata kanë shkelur rënd mbi rendin e ri kushtetuese të Kosovës, duke legalizuar vendimet e kohës së masave të dhunshme”, thuhet më tej aty.

“Është koha e fundit që institucionet qendrore të Republikës së Kosovës të ndërhynë në zgjidhjen e kësaj çështjeje kontestuese në Deçan, sepse është i papranueshëm zbatimi i vendimit antikushtetues të cilin e ka sjellë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në lidhje me pronat dhe Ndërmarrjet shoqërore “Apiko” dhe “Iliria””, vazhdon reagimi.

“Edhe njëherë duhet ritheksuar se zgjidhja më e mirë dhe më e pranueshme është kthimi në pronësi të Komunës së Deçanit të pronave dhe ndërmarrjeve në fjalë, ngase ato prona asnjëherë nuk kanë qenë në pronësi të Manastirit të Deçanit”, përfundon reagimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat