Punëtorët teknikë kërkojnë pagat e gushtit

Kosova

Punëtorët teknikë kërkojnë pagat e gushtit

Më: 7 shtator 2017 Në ora: 12:18
Punëtorët teknikë

Gjashtëmbëdhjetë punëtorë teknikë të shkollës fillore të mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë kanë protestuar sot për shkak të mos dhënies së pagës për muajin gusht.

Përfaqësuesi i punëtorëve teknik të kësaj shkolle, Milaim Sopi, ka thënë se nuk i kanë marrë pagat për muajin gusht për shkak të mos marrëveshjes në mes të kompanisë MSS që i menaxhon ata dhe komunës së Prishtinës.

Sopi tha se sot dhe nesër do të protestojnë nga ora 10.00 deri në 11.00, dhe nëse nuk gjejnë kompromis, atëherë ditën e martë do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

Sopi: Protestojmë për shkak të mos dhënies së pagës për muajin gusht

“Për shkak të mos pagesës së pagës për muajin gusht nga kompania MSS në mos marrëveshje me komunën, jemi të detyruar dhe në marrëveshje me Sindikatën e Pavarur të Kosovës, Jusuf Azemi që sot më datën 7.9.2017, e enjte dhe më datën 8.9.2017 e premte të protestojmë nga ora 10 deri në ora 11, në qoftë se kompania MSS  dhe komuna nuk gjejnë kompromis jemi të detyruar të hënën të presim a po reflekton komuna, nëse jo, atëherë të martën më 12.9. 2017 do të hyjmë në grevë të përgjithshme”, tha Sopi.

Ai po ashtu ka thënë se përfaqësuesit e kompanisë  MSS iu kanë thënë se pagat për katër muajt e fundit ua ka dhënë nga rezervat e tyre, për shkak se komuna nuk i ka dhënë paratë për t’ua paguar punëtorëve rrogat.

Punëtorja teknike e shkollës fillore “Dardania”, Bedrie Graca, e cila është kryefamiljare e familjes pesë anëtarëshe, ka thënë për KosovaPress, se mos dhënia e pagës ka ndikuar në gjendjen ekonomike të familjes së saj.

Graca: Kemi nevojë për paga, kemi familje

“Po protestojmë për pagat që nuk na i kanë qit gjatë këtij muaji, kemi nevojë për to, kemi familje. Ka ndikua në familje, në të gjitha. Na duhet me mbajt familjen, unë jam kryefamiljare”, tha ajo.

Ndërsa, Xhemajl Xhakaliu, po ashtu punëtor, në këtë shkollë ka thënë për kp, se disa punëtorë i kanë marrë pagat para festës së Bajramit, ndërsa ata nuk i kanë marrë pagat që iu takojnë dhe po ndihen të lënë anash.

Xhakaliu tha se nëse nuk i marrin rrogat do ta ndalin punën dhe do të protestojnë.

Xhakaliu: Disa punëtorë i kanë marrë pagat, e ne jo

“Jena të ndamë edhe punëtorët të një  kolektivi që punojmë me vite të tëra, jena të ndamë, neve  na kanë privatizuar thuajse krejtësisht e 4 a 5 janë me komunë, ata i kanë marrë veç para feste pagat e na jo. Do me thënë sikur të braktisur, të lënë anash krejt prej kësaj shkolle. Nëse rrezikojmë edhe në shtator nuk i marrim pagat, atëherë na do të protestojmë edhe do ta ndalim punën. Normal, që edhe na kemi familje sikurse të tjerët”, tha ai.

Sipas punëtorëve të shkollës fillore “Dardania”, për protestën është  njoftuar edhe drejtori i kësaj shkolle, i cili i ka përkrahur ata duke pasur parasysh punën që ata bëjnë.

Ndryshe, punëtorët teknikë të shkollave fillore “Ismajl Qemajli”, “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Naim Frashëri”, “Gjergj Fishta”, “Pjetër  Pogdani”, kanë protestuar sot për shkak të mos marrjes së rrogave për muajin gusht. Ata pritet të protestojnë edhe nesër.

KosovaPress ka kontaktuar zyrtarë të Komunës së Prishtinës, të cilët kanë thënë se për këtë çështje mediat do të njoftohen përmes një komunikate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat