S’ka dokument identifikues, i shqiptohet një muaj paraburgim

Kosova

S’ka dokument identifikues, i shqiptohet një muaj paraburgim

Nga: Adem Lushaj Më: 11 shtator 2017 Në ora: 19:43
Gjykata e Deçanit

Gjykata e Deçanit, shqipton masën prej një muaj paraburgim për Kujtim Dedaj nga fshati Gjonpepaj të Tropojës, pasi që i njëjti nuk posedon dokumente të identifikimit personal. Vendimi i marrë nga gjyqtari Sulltan Dobraj, ishte sipas kërkesës së bërë nga Prokuroria Themelore e Pejës, që përfaqësohej nga prokurori Ardian Hajdaraj, ngase Dedaj nuk posedonte dokument të ligjshëm që do kishte identifikuar personin në fjalë. Dedaj, pasi që ishte ndalur nga Policia e Kosovës në Pejë, duke prezantuar vetëm një kopje të certifikatës së lindjes, por pa ndonjë fotografi që mund të vërtetohej se personi i ndalur ishte Kujtim Dedaj, siç e pohonte edhe në deklaratën e tij të dhënë para gjyqtarit Dobraj, ku i pranishëm ishte edhe avokati i tij mbrojtës, Daut Cacaj, i angazhuar nga Gjykata sipas detyrës zyrtare. Në kërkesën për paraburgim të Prokurorisë së Pejës, thuhej se i dyshuari, që prezantohej si Kujtim Dedaj, në rastin e ndalimit nga Policia e Kosovës, nuk posedonte dokumente të gjendjes civile, që do dëshmonin se personi i ndaluar është i njëjti siç prezantohet gojarisht. Gjithnjë sipas kësaj kërkese të prokurorisë, i dyshuari ka kaluar ilegalisht kufirin, diku afër vendit të quajtur Morinë.

Në deklaratën e tij, Dedaj ka thënë se asnjëherë nuk ka pas dokumente identifikimi, duke prezantuar para gjyqtarit një fletë aplikim për tu pajisur me dokumentin e nevojshëm identifikues. Ai, në arsyetimin për kalim të kufirit ka thënë se nuk kishte hyrë ilegalisht, por me furgon përmes pikës kufitare, duke mos u legjitimuar nga personat zyrtare të kufirit. Ndërsa, avokati i tij, Daut Cacaj, ka kërkuar nga Gjykata që të merren për lehtësim rrethanat që kanë shty Dedajn të kalon kufirin pa dokumente të duhura të identifikimit, pasi që i njëjti deklaron se ka motrën të shtrirë në Spitalin e Pejës, përkatësisht në Repartin e urologjisë.

Gjyqtari i rastit Sulltan Dobraj, pas administrimit të shkresave të prezantuara nga prokuroria e shtetit, ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaj, ashtu që organet e hetuesisë të merren me identifikimin e personalitetit të individit i cili prezantohet si Kujtim Dedaj. Jo zyrtarisht bëhet e ditur se personi në fjalë kishte kaluar disa herë përmes organeve të hetuesisë dhe gjyqësisë, pa mundur të prezanton asnjë dokument identifikues të ligjshëm, pos kopjes së njëjtë të certifikatës të prezantuar edhe në Gjykatën e Deçanit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat