Gjermania mbështet Kosovën në procesin e integrimit evropian

Kosova

Gjermania mbështet Kosovën në procesin e integrimit evropian

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 18:23
Jan-Axel Voss

Zëvendës ambasadori i Gjermanisë Jan-Axel Voss, tha se Kosova nuk ka bërë përparim drejt integrimit evropian dhe që pret nga qeveria e re që të fokusohet edhe më shumë në reforma dhe të vazhdojë aty ku e ka lënë qeveria e kaluar.

Ai këto komente i bëri me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Integrimit dhe Ambasadës Gjermane, “Mbështetje për procesin e Integrimit Evropian në Kosovë, Faza III”.

Voss deklaroi se pret që Kosova të bëjë më tepër përparim në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Voss: Kosova nuk ka bërë përparim drejt integrimit evropian

“Çka presim nga Qeveria e re në Kosovë për të cilën kemi pritur gati tre muaj, tani pas zgjidhjes së Kuvendit nuk ka pasur veprime në Kosovë, Kosova nuk ka bërë përparim drejt integrimit evropian kështu që ne presim që qeveria e re do të fokusohet edhe më shumë në reforma të vazhdoj aty ku qeveria e ka lënë dhe të shfrytëzoj forcat e reja që i ka dhe ti zbatoj ata hapa të cilët e sjellin më afër Bashkimit Evropian. Reformat që janë të rëndësishme nuk janë fundi në vetvete, vetëm janë që të përcaktohet një ekonomi e tregut të lirë që është demokratike, që ju shërben nevojave të njerëzve të saj. Duke shikuar në brezin e ri në veçanti i cili është burimi më i rëndësishëm për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës. Ne besojmë që qeveria e Kosovës duhet të përqafoj plotësisht perspektivën e integrimit evropian të vendit si mjet për të shpejtuar reformat themelore në fushat e sundimit të ligjit, re format ekonomikë, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se mbështetja e këtij projekti nga GIZ këto pesë vitet ka ofruar ekspertizë të vlefshme në zbatimin e reformave evropiane në Kosovë.

Ajo tha se projekti në fillim është lansuar në 2012 që ka qenë vit kritik në këtë proces, kur të gjitha institucionet e Kosovës kanë qenë të angazhuar në punë intensive që kanë quar tek MSA-ja. Por, sipas saj projekti ka ofruar një mbështetje shumë të mirë dhe kontribut të mirë për institucionet e Kosovës.

Hoxha: Mbështetja e Gjermanisë është shumë kritike në këtë proces

“Pjesë e rëndësishme e projektit ka qenë mbështetja në ndërtimin e kapaciteteve që i ka dhënë projekti për parlamentin, duke u dhënë ndihmë në harmonizimin e ligjeve drejt procesit të integrimeve evropiane duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e obligimeve të MSA-së. Mbështetja e Gjermanisë është shumë kritike në këtë proces dhe partneriteti i këtyre dy shteteve do të jetë edhe më kritik si fushë drejtuese për reformat afatgjate të cilat Kosova do ti ndërmarrë”, tha ajo.

Po ashtu, ministrja u zotua për rezultate edhe më të mira dhe të kësaj marrëveshje.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se përkrahja e qeverisë Gjermane po konfirmohet edhe një herë në mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në administratë.

Krasniqi: Marrëveshja rezultat i partneritetit Kuvendit me GIZ

“Përkrahja e vazhdueshme në këto procese vitale për integrim nga të gjithë partnerët tanë është treguesi më i mirë i zhvillimit dhe i avancimit të punës tonë karshi agjendës evropiane. Marrëveshja e stabilizim-asocimit, agjenda e reformave evropiane tashmë janë punë ditore e administratës së Kuvendit. Marrëveshja që sot nënshkruajmë është rezultat i punës tonë në partneritet i Kuvendit me GIZ dhe me partnerët e tjerë përkrahës për avancimin dhe përmbushjen të detyrimeve që shteti jonë ka para vetës”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i GIZ, James Macbeth Forbes, u shpreh se ndjehet i lumtur që do të ketë mundësinë të punojë me Kosovën edhe për tri vitet e ardhshme.

Ndërkohë që një nga rezultatet më të mira sipas tij në këtë bashkëpunim është strategjia kombëtare për integrime evropiane të Kosovës.

Forbes: Rezultat i dukshme është strategjia kombëtare për integrime evropiane

“Një nga rezultatet e dukshme është strategjia kombëtare për integrime evropiane të Kosovës që ka shkuar në planin kombëtar pasi që është nënshkruar MSA-ja, që është kontrata më domethënëse mes dy entiteteve. Pra, Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe kjo do të jetë puna jonë për tri vitet e ardhshme”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat