“Mjeku më kërkoi 200 euro dhuratë për operimin e nënës”

Kosova

“Mjeku më kërkoi 200 euro dhuratë për operimin e nënës”

Më: 15 shtator 2017 Në ora: 19:45
Foto ilustrim

E dëmtuara Minushe Mani, e cila të premten u dëgjua në cilësi të dëshmitares, në rastin ndaj kirurgut të Spitalit Rajonal të Ferizajt, tani të akuzuarit për marrje të ryshfetit në vazhdim, Imri Vishi, tha se ky i fundit i ka kërkuar 200 euro dhuratë për operimin e nënës së saj.

“Me doktorin Imri pata bisedu para operimit të nënës, ku i kam kërku që ai ta kryej operimin e saj dhe aty ai më tha se do ta kryej operimin, mirëpo duhesh me dhanë diçka – pare, e unë kam pranu, sepse për mua ka qenë me rëndësi shëndeti i saj. Atë ditë, nuk kemi bisedu asgjë rreth shumës se sa duhet me ia dhanë”, deklaroi dëshmitarja Mani, duke sqaruar ngjarjen në mënyrë kronologjike.

E njëjta, ndërkaq tha se shumën e të hollave prej 200 eurosh, tani i akuzuari ia kishte kërkuar në ditën kur ishte kryer operacioni, dhe atë siç tha pas dy apo tri orësh. Këto të holla, ajo tha se tani të akuzuarit, apo siç e quante ajo doktor Imriut, ia kishte dhënë në zyrën e tij, që gjendet brenda Spitalit Rajonal në Ferizaj.

“Paratë në shumë prej 200 euro, ia kam dhënë doktorit në zyrën e tij, brenda në Spital, dhe atë 150 euro ia kam lënë mbi tavolinë, kurse më pas edhe 50 euro ia kam dhënë tek dera e zyrës, sepse doktorit iu doken pak”, deklaroi tutje dëshmitarja.

Kurse, në pyetjen e vet të pandehurit Imri Vishi, se në momentin kur ka shkuar në zyrën e tij, a ka qenë vetëm apo me dikë tjetër, dëshmitarja u përgjigj se aty kishte shkuar vetëm si dhe shtoi se aty nuk e kishte parë asnjë person tjetër.

Ndërkohë, i akuzuari Imri Vishi, gjatë kësaj seance gjyqësore u deklarua i pafajshëm për veprën penale “marrje e ryshfetit në vazhdim”, ndërsa edhe njëherë, si në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 15 maj 2017, i njëjti pranoi fajësinë vetëm për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armëve”.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ibrahim Idrizi, ndërkaq konstatoi se ndaj tani të pandehurit Imri Vishi, me aktvendim të formës së prerë, është hedhur poshtë aktakuza sa i përket veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për këtë shqyrtim gjyqësor, ishte paraparë që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen edhe dy të dëmtuarit në këtë rast, Ajshe Hajdari dhe Elez Ahmeti, mirëpo të njëjtit u njoftuan se do të ftohen për seancën e radhës, pasi që seanca e së premtes, u ndërpre me kërkesë të prokurorit Rasim Maloku.

Seanca e radhës ku pritet të dëgjohen dy dëshmitarët e lartcekur, u caktua të vazhdojë më 11 tetor 2017, në ora 09:00.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzon tani të pandehurin Imri Vishi se në cilësi të personit zyrtar- kirurg në Repartin e Kirurgjisë, në Spitalin Rajonal të Ferizajt  në vazhdim ka pranuar dhuratë në para nga pacientët e tij.

I njëjti sipas aktit akuzues, pas kryerjes së operacioneve në repartin në fjalë, ku është i punësuar si kirurg dhe paguhet nga Ministria e Shëndetësisë, ka pranuar dhuratë 200 euro nga të dëmtuarit Minushe Mani dhe Hetem Ahmeti, 100 euro nga Muharrem Bruti dhe 50 euro nga Ajshe Hajdari. Në të njejtin vend dhe po në të njëjtën cilësi i pandehuri kishte pranuar dhuratë 20 euro nga i dëmtuari Elez Ahmeti, për shkak të një kontrolle të rregullt pas operacionit që kishte kryer në vitin 2007, raporton Betimipërdrejtësi.

Vishi, po ashtu akuzohet se nga data e pa vërtetuar deri më 25 mars 2017, në shtëpinë e tij në Ferizaj, ka mbajtur në posedim pa leje përkatëse dy pistoleta, me nga një karikator dhe katër fishekë të kalibrit 6.35 mm si dhe një granat dore e modelit F1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat