LB kërkon ndriçim sa më të shpejtë të vdekjeve në QKUK

Kosova

LB kërkon ndriçim sa më të shpejtë të vdekjeve në QKUK

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 14:47
Lëvizja për Bashkim

Lëvizja për Bashkim ka shprehur shqetësimin me gjendje në sektorin e shëndetësisë dhe kërkon ndriçimin sa më të shpejtë të rasteve të vdekjeve të dyshimta në QKUK.

Kjo parti konsideron se veprimet neglizhente të institucioneve qeveritare, menaxhimi i dobët i institucioneve shëndetësore janë duke u kushtuar me jetë qytetarëve të Kosovës dhe janë duke ndikuar në humbjen e besimit në shëndetësinë kosovare. 

“Rasti i vdekjeve të dyshimta në QKUK pas intervenimeve kirurgjike përveçqë paraqet një shqetësim alarmant, është kulmi i papërgjegjësisë, neglizhencës, korrupsionit, për të mos thënë i sabotimit të sistemit të shëndetësisë dhe të shëndetit të pacientëve. Kjo është një situatë e frikshme, e cila i ka vendosur në një situatë pasigurie të plotë si pacientët, ashtu edhe mjekët. Një gjendje e tillë është e pashembullt në historinë e QKUK-së, andaj kërkon ndërhyrje urgjente të të gjithë mekanizmave shtetërorë”, thuhet në komunikatë. 

Lëvizja për Bashkim kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të punojë ngushtë me prokurorinë e shtetit, e cila tashmë i ka filluar hetimet. 

LB po ashtu kërkon që MSH ta iniciojë ndryshimin e ligjit për shëndetësinë dhe ta fuqizojë detyrimin e kryerjes së obduksionit për të gjitha rastet e vdekjeve të dyshimta brenda ambienteve të institucioneve shëndetësore të Kosovës.

“Zhvarrosja e rasteve të lartpërmendura për obduksion, i cili nuk është i kualitetit të njëjtë sikur të ishte punuar me kohë, pasqyron edhe një qasje joserioze të një institucioni terciar shëndetësor të cilët kanë neglizhuar kryerjen e autopsisë të personave të vdekur në rrethana të dyshimta”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat