Rreth 30 milionë euro investime për sistemin e ujitjes së tokave për Komunën e Rahovecit i ka premtuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përderisa investimet e deritanishme i ka quajtur si investimet më hallall të institucioneve të vendit deri më tash.
Këto premtime i ka bërë në qytetin e Rahovecit me rastin e hapjes së fushatës dhe shpalosjes së programit qeverisës nga kandidati i këtij subjekti, Idriz Vehapi.
Veseli tha se është lehtë të dalësh ballëhapur para qytetarëve të Rahovecit kur para tyre ndodhen përfaqësuesit më të mirë të tyre me në krye Idriz Vehapin.
Më tej ai ka thënë se qeverisja e Vehapit do të jetë modeli i qeverisjes transparente për katër vitet e ardhme. Ai ka premtuar bursa të plota për studentët me notë mesatare 8, praktikë gjatë studimeve, ndërsa për ekonominë është zotuar se do të punojnë për të sjellë ligjin për tregti të brendshme.
"Ligji për tregti të brendshme do të jetë shumë shpejt pjesë e legjislaturës tonë. Ndërkaq në vitin 2018 garantojmë edhe çmimin e shitjes... Në qeverisjen e ardhme do ta rrisim transparencën, do të marrim shembull kryetarin tuaj. Çdo cent do të jetë i publikuar se ku është harxhuar... Brenda katër vuteve do të fillojmë investimin që do të jetë rreth 30 milionë, që ujitja e tokës së Rahovecit të jetë nga hidrocentrali i Radoniqit", ka premtuar Veseli.
Kandidati i PDK-së për komunën e Rahovecit, Idriz Vehapi, ka thënë se programi i partisë demokratike është programi më i mirë për Komunën të cilën e ka udhëhequr vet ai 4-vjeçarin e fundit.
Vehapi ka numëruar disa nga të arriturat që ka shënuar Komuna e Rahovecit sa ishte nën udhëheqjen e tij, ndërsa ka kërkuar ndihmën e institucioneve të shtetit për të ndihmuar në formimin e një agro-zone biznesore. Ai ka premtuar se do të angazhohet me gjithë potencialin e tij në ndërtimin e rrugës që lidh Rahovecin me rrugën e kombit.