Dëshmitari: Bashota e gjuajti bombën në lokalin tim

Kosova

Dëshmitari: Bashota e gjuajti bombën në lokalin tim

Më: 2 tetor 2017 Në ora: 10:16
Foto ilustruese

Në gjykimin ku Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve. dëshmoi Hysen Shahini, i cili në këtë rast është në cilësinë e të dëmtuarit.

Dëshmitari Shahini, i cili posedon rreth 4500 m2 objekte në pronën në Fushë-Kosovë, e cila është kontestuese në këtë çështje, tha se Arben Bashota kishte gjuajtur bombën në njërin nga lokalet e tij të lëshuara me qira.

Këto toka janë në pronësi të Komunës së Fushë-Kosovës, por sipas dëshmitarit të akuzuarit aludonin përmes dokumentit të falsifikuar se këta janë uzurpatorë të objekteve.

“Unë ia kisha lëshuar një shtypshkronje objektin me qera dhe një mëngjes të vitit 2008 më njoftojnë se dikush ka gjuajtur aty me bombë. Kam shkuar në vendin e ngjarjes dhe kam lajmëruar policinë. Menjëherë pas rastit kam hedhur dyshimet tek Arben Bashota ngase me askënd nuk kam pasur problem me atë tokë. Njerëzit vetëm se vinin dhe interesoheshin për të blerë vendin, pasi që Arbeni vazhdimisht kishte kërkuar njerëz për ta shitur tokën, e që unë insistoja se prona është kontestuese dhe nuk mund të shitet”, shpjegoi dëshmitari.

“Bombën që ma kanë qitë mu, roja e ka përshkruar atë person si Arbenin”, shtoi ai.

Edhe pas këtij incidenti, ai tha se Bashota kishte bërë vazhdimisht presion që t’ia lëshonte këto objekte në të cilat ka investuar që nga viti 2002.

“Pasi që iu është hequr ndalesa pronës, kanë filluar shpeshtimet e grupit në pllac ndaj qiraxhive, shantazhet, presionet, që këta janë pronarë të parcelave dhe duhet të lirohet toka, e nënshkrues i letrave ka qenë Arben Bashota”, vazhdoi Shahini.

Duke fajësuar policingë për këtë falsifikim “të punuar jashtëzakonisht mirë”, dëshmitari theksoi se si produkt i falsifikimit të dokumentit edhe ka ardhur deri tek shantazhat, kërcënimet, plagosjet, nga “grupi kriminal i Arben Bashotës”, siç e quan ai.

Ai në gjykatore deklaroi se nga këto veprime edhe është dëmtuar në aspektin financiar.

“Jam dëmtuar me rastin e hedhjes së bombës, si dhe ka ndiku në qiraxhi pasi që kanë pasur frikë, e ma kanë lëshu, është dashur me i ndërru qiraxhitë”, tha dëshmitari.

Më tej, ai theksoi se së bashku me Murat Tërnavën, të dëmtuarin tjetër në këtë proces, falsifikimin e kishin lajmëruar në EULEX, por të njëjtit i kishin udhëzuar që t’i drejtohen Gjykatës Themelore në Prishtinë për shkak të kompetencës.

Pas denoncimit në EULEX, ai tha se Tërnava kishte ndërruar qëndrimduke mos dashur më që të denoncojë, ku pas një kohe që kishte qëndruar i hidhëruar me të edhe e kishte kuptuar se edhe Tërnava ishte nën kërcënimin e tani të akuzuarve.

Dëshmitari theksoi se asnjëherë ai dhe të dëmtuarit e tjerë nuk kanë pretenduar në tokë, por në objektet e tyre në të cilat edhe kanë investuar.

Në fund të seancës, avokatët mbrojtës të tre të akuzuarve, kërkuan nga trupi gjykues që masa e arrestit shtëpiak t’u zëvendësohet me atë të paraqitjes në stacionin policor, por kërkesa u refuzua.

Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë, raporton kallxo.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat