Haradinaj: Demarkacioni do të zgjidhet në favor të Kosovës

Kosova

Haradinaj: Demarkacioni do të zgjidhet në favor të Kosovës

Më: 4 tetor 2017 Në ora: 19:57
Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sonte mbajti fushatë zgjedhore në Deçan, ku shpalosi programin qeverisës edhe për katër vitet e ardhshme dhe prezantoi kandidatin për kryetar të komunës, Bashkim Ramosaj.

Kjo parti zotohet se për Deçanin kanë një program zhvillimor qeverisës, që garanton perspektivë, mirëqenie më të mirë për qytetarët e saj dhe investime kapitale.

Kryeministri njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pasi premtoi për investimet në këtë komunë që do t’i realizojë si kryeministër, foli edhe për çështjen e kufirit me Malin e Zi, demarkacionin, cili tha “faktet janë dhe ka me u zgjidhë në favor të anës kosovare”. Sipas tij, Kosova ka një perspektivë evropiane dhe euro atlantike të garantuar, duke forcuar edhe më tej raportet me miqtë ndërkombëtar.

Haradinaj: Për demarkacionin faktet janë në anën tonë

“Është folur dhe po folët për kufirin për demarkacionin, nuk ka marrëveshje pas pasur pajtim prej dy palëve. Derisa nuk e ka ratifikuar parlamenti ynë, s’kemi marrëveshje, por projekt marrëveshje. Unë kam krijuar komisioni tjetër, i cili do t’i gjen faktet, që është gabim ky version se kufiri është në Çakorr dhe në Kullë që shkon majave të larta. Me këtë fakte ne do të ulemi në tavolinë, së pari me miqtë Kosovës, pastaj edhe me fqinjët, nëse janë të gatshëm, nëse jo ka proceduar dhe standard se si zgjidhet kjo temë, por mos harroni faktet janë në anën tonë dhe ka me u zgjidhë në anën tonë”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Ai shtoi se Kosova ka me pasur një ekonomi garuese me ato në rajon dhe sipas tij, vendi ynë do të  anësohet në NATO në kohën e duhur.

Haradinaj para simpatizantëve të AAK në Deçan premtoi se ka me pasur investime për infrastrukturë, për investime kapitale, për bujqësi, për fermerë dhe për ekonomi të vogla të Deçanit. Ai tha se të gjitha këto kanë me u realizuar, sepse qeveria aktuale është vepruese.

Duke folur për bujqësinë, Haradinaj tha se duke qenë kryetar i qeverisë, është edhe ministër i Bujqësisë.

Haradinaj: Unë jam ministër i Bujqësisë

“Në Deçan infrastruktura bazike e jetës e të gjitha kanë me u përmbyllur, por jo veç me u përmbyllur, por kemi me u lavdëruar me të, me kualitet dhe me nderë për këtë vend. Pra, kjo ka me ndodhur. Në investimet kapitale që kanë me u rritë për çdo vit, kemi me u fokusuar edhe me rrugët që na lidhin me resurset tona natyrore, me bjeshkët. Te ndriçimi e te infrastruktura tjetër e nevojshme, sepse janë në zhvillim, janë vende të punës me perspektivë. Buxheti që ka me ju dedikuar bujqësisë në Deçan, ka me u rritë për çdo vit, duke u trefishuar dhe do të përfundoi te familjet. Unë jam ministër i Bujqësisë, nuk është dikush tjetër, jam kryetar i Qeverisë”, tha Haradinaj.

Ai ka shtuar se për autostradën Prishtinë – Pejë sot ka kërkuar të ndahen 80 milionët e para dhe pret të përfundoi e tëra në vitin 2018. Haradinaj premtoi realizimin e edhe të rrugës së Plavës. Ai ka shtuar se auto rruga prej Kline deri në Gjakovë ka me nisë po ashtu në vitin që vjen. Kryeministri përmendi edhe një autostradë tjetër, që do të nisë fizibiliteti vitin që vjen për projektin e autostradës nga Istogu-Peja-Deçani-Gjakova-Prizreni.

Haradinaj: Autostrada Prishtinë-Pejë përfundon vitin e ardhshëm

“Për autostradën Dukagjinit sot kam kërkuar me u ndarë 80 milionë euro, prej Prishtinës e në Pejë, mos me shkuar me nga pesë km, por me u krye vitin që vjen. Me nga dhjetë milionë dhe 7-8 km ajo nuk kryhet deri më 2030-ën, sepse ka ndërrua koha, ajo ka me përfunduar vitin që vjen, kur të bie bora e vitit tjetër duhet me ra mbi asfalt, mbi auto rrugën e Dukagjinit. Dy ministrat e qeverisë së Kosovës e din këtë prej sotit, Bedri Hamza e ka dëgjuar prej meje, e di Pal Lekaj, edhe unë e di ”, tha ai.

Kandidati për kryetar Bashkim Ramosaj zotohet se me programin e AAK-së ka dhënë zgjedhje për të gjitha fushat dhe sektorët veç e veç, që e bëjnë jetën më të mirë për qytetarët e një komune.

Sipas tij, të gjithë qytetarët e Deçanit i janë gëzuar se më në fund ndryshimi ka filluar me ardhjen e Haradinajt kryeministër.

Ramosaj: Ka ardhur koha e Deçanit të trajtohet dinjitetshëm

“Në këto rrethana ne kemi zgjedhur një moto, ‘I ka ardhur koha Deçanit’, andaj, i ka ardhur koha Deçnit që të ketë rrymë dhe asfalt në bjeshkët tona. I ka ardhur koha Deçanit që ketë hapje të qytetit në shpronësim të rrugëve, i ka ardhur koha Deçanit që njerëzit e Deçanit të trajtohen dinjitetshëm dhe të kenë produktin të cilin e presin. Po ashtu i ka ardhur koha Deçanit që të ketë konceptin e saj të zhvillimit ekonomik. Me programin që kemi ofruar për Deçanin kemi përkushtim të përbashkët me punë dhe kemi dhënë zgjidhje për të gjitha temat, dhe sektorët veç e veç që e bëjnë jetën e një komune”, u shpreh Ramosaj.

Ramosaj ka prezantuar edhe kandidatët për këshilltarë të Asamblesë komunale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat