Rritet numri i viktimave në trafik, për nëntë muaj vdiqën 95 persona

Kosova

Rritet numri i viktimave në trafik, për nëntë muaj vdiqën 95 persona

Më: 5 tetor 2017 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se numri i aksidenteve me fatalitet, në krahasim me vitin e kaluar, ka shënuar rritje. Për nëntë muaj (janar-shtator 2017) në trafik humbën jetën 95 persona, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2016 numri i të vdekurve në aksidentet e komunikacionit ishte 81 persona. Në mesin e viktimave dominojnë shoferët, këmbësorët dhe pasagjerët.

Aksidentet me lëndime po ashtu janë në ngritje, kurse kanë pësuar rënie aksidentet me dëme materiale. Ndërkaq, çdo ditë shqiptohen qindra tiketa trafiku për shoferët që nuk i përmbahen rregullave të komunikacionit.

“Duke analizuar aksidentet fatale të ndodhura gjatë periudhës kohore janar - shtator  2017 kemi konstatuar se nga tetëdhjetekatër (84) aksidente fatale, jetën e kanë humbur nëntëdhjetepesë  (95) persona”, thuhet në një përgjigje elektronike nga Zyra për Informim e Policisë.

Nga 95 personat që kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor në periudhën kohore janar – shtator 2017, 40 qenë shoferë, 30 kanë qenë këmbësorë, si dhe 25 kanë qenë pasagjerë.

“Nga dyzet (40) shoferë të vdekur katër (4) prej tyre kanë qenë motoristë, tre (3) kanë qenë çiklistë si dhe dy (2) traktoristë”, thuhet tutje në statistikat e policisë.

Rajoni i Prishtinës prin për nga numri i aksidenteve me fatalitet, pasojnë ai i Ferizajt dhe i Pejës.

Aksidentet kanë ndodhur në rrugë magjistrale, rajonale, rrugë të qytetit, rrugë lokale, në autostradë etj.

Policia vazhdimisht bën apel për kujdes në komunikacion, ndërsa së fundi janë zhvilluar edhe fushata vetëdijësuese për të kontribuar në uljen e numrit të aksidenteve.

Më poshtë mund ta shihni tabelën krahasuese të aksidenteve gjatë periudhës janar-shtator për vitet 2016-2017.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat