19 vjet nga vrasja e “Sandokanit”

Kosova

19 vjet nga vrasja e “Sandokanit”

Më: 8 tetor 2017 Në ora: 07:40
Abedin Rexha-Sandokani

Abedin Rexha ishte luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, guximtar e sypatrembur deri në vdekje, për çka dhe bashkëluftëtarët e tij e quajtën "Sandokan".

Abedin Rexha, lindi me 08. 07. 1969 në Vajnik, komuna e Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në Turiçec, të mesmen në Skenderaj, kurse studimet i vazhdoj në fakultetin Xehtaro-Metalorgjik, në Mitrovicë. Gjatë kohës së shkollimit të mesëm, në Skenderaj ra në kontakt me veprimtarët e ilegales. Asokohe shoqërohej me Jakup Nurën dhe Nuhi Gecin, me të cilët tashmë ishte i organizuar dhe shpeshherë shpërndante edhe trakte e afishe, ku bëhej thirrje për rezistencë kundër pushtuesit serbosllavë.

Duke qenë se pushtuesi i kishte rënë në gjurmë aktivitetit të Abedinit, me 1992, ai merr rrugën e mërgimit. Në vjeshtën e vitit 1996, Abedin Rexha kthehet në Kosovë, i ngarkuar me detyra të caktuara dhe mban takim me komandantin Adem Jashari. Ai hynë e del nga Kosova shumë herë. Me 6 maj të vitit 1997, Abedini së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Luan Haradinajn, Ilaz Kodrën, Ramiz Lladrovcin etj, i kalon Alpet Shqiptare. Në rrugë e sipër, ky grup luftëtarësh bie në pritë të forcave serbe dhe pas një luftimi të ashpër dhe rënies heroike të Luan Haradinajt, detyrohet të tërhiqet nga kufiri.

Dy muaj me vonë, në korrik të vitit 1997, Abedin Rexha, së bashku me Adrian Krasniqin, Ilaz Kodrën, Ilir Konushevcin dhe me luftëtarë të tjerë të lirisë arrin të depërtoj në Kosovë dhe punojnë pa u lodhur në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve e UÇK’ës.

Më 25 nëntor të vitit 1997, policia serbe shkoj në Vajnik për ta arrestuar Abedin Rexhën - Sandokanin. Abedini me dy vëllezërit, Brahimin dhe Afrimin, e me luftëtarë të tjerë u kishte dalë përballë bandave serbe dhe i kishte sulmuar. Në këtë sulm ishin likuiduar dy policë serb, ndërsa gjatë kësaj përleshjeje, forcat serbe kishin plagosur Baki Krasniqin, 11 vjeçar.

Më 26 nëntor 1997, komandanti legjendar i UÇK’ës Adem Jashari kishte urdhëruar t’u zihet prita forcave serbe, te vendi i quajtur Klisyra në Rezallë të Re. Krahas Adem Jasharit dhe Abedin Rexhës ishin rreshtuar në pozicione edhe Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Nuhi Geci e shumë luftëtarë trima të UÇK’ës.

Plani i armikut kishte filluar të vihej në veprim. Mirëpo në orët e para të ditës, forcat serbe u gjendën të rrethuar nga të gjitha anët. Gjatë tërheqjes serbët kishin goditur për vdekje mësuesin Halit Geci, në oborrin e shkollës së Llaushës. Dhe, me 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit, Halit Geci, në Llaushë, Mujë Krasniqi me shokët e tij, Rexhep Selimin dhe Daut Haradinajn, duke qenë të armatosur shpallën publikisht fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, duke u paraqitur para masës së tubuar me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë vitit 1998, Lufta Çlirimtare vijoi të zgjerohej rrufeshëm, dhe Abedin Rexha nuk e përmbante dot zemërimin kundër pushtuesit, që masakronte pamëshirshëm fëmijë, gra, burra dhe pleq dhe ua digjte shtëpitë shqiptarëve.

Në fillim të gushtit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK’ës, Abedin Rexhën e kishte caktuar Komandant të Brigadës 112 "Arben Haliti", e cila vepronte në Zonën Operative të Drenicës.

Gjatë muajve gusht-shtator 199, komandant Sandokani luftoi pa iu trembur syri në shumë fushëbeteja. Dhe pikërisht në kulmin e ofenzivave me përmasa të gjera shfarosëse nga forcat serbe, në të gjitha zonat Operative të UÇK’së, e veçanërisht në ZO të Drenicës, më 08 tetor 1998, komandanti Abedin Rexha - Sandokani, vritet në pyjet e fshatit Kllodernicë, të komunës së Skendërajt.

Abedin Rexha - Sandokani pas vetes ka lënë bashkëshorten me dy fëmijë: Sokolin dhe Selveten. Heroizmi i tij është përjetësuar në shumë shkrime në shtypin tonë, në këngë e poezi, ndërsa Shkolla e Turiçecit mban me krenari emrin e Abedin Rexhës "Sandokanit".

Më 30 nëntor 2009, bashkëshortja e Komandant Abedin Rexhës, Sanije Rexha ka ngritur një padi penale kundër Gani Gecit. Në padinë penale të ngritur në Prokurorinë e EULEX’it, Geci akuzohet për vrasjen e Abedin Rexhës - Sandokanit, gjatë luftës, më 08 tetor të vitit 1998.

“Kam bërë një padi pranë EULEX për rastin e bashkëshortit tim që këtë akt kriminal e ka krye Gani Geci. Është dëshmia e gjallë që edhe vetë e ka pranuar dhe mbarë masa shqiptare e din edhe kush e ka krye këtë akt edhe vetë e ka pranuar publikisht pas vrasjes së tij. Gani Geci e ka pranuar. Kam fakte se pas vrasjes së tij i ka çuar në familjen e Abedinit disa burra që kanë kërkuar besë. Ne ju kemi kundërpërgjigj që ai njeri i familjes nuk ka qenë, nuk është vrarë privatisht. Ai duhet t’i japë llogari Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtësisë së Kosovës”, - kështu ka deklaruar Sanije Rexha, para gazetarëve të tubuar në Sheshin pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe Parlamentit të Kosovës.

E pyetur nga gazetarët, se pse nuk ka ngritur padi deri më sot, Sanija ka thënë se: “Deri vonë e kam pas qëllimin që t’ia jap dënimin vetë, ta vrasë publikisht. Këtë e them shumë hapur, por me ndërhyrjen e familjes dhe shoqërisë nuk e kam bërë dhe kam vendosur të ngre padi “ - ka thënë ajo.

Sanije Rexha, para gazetarëve ka deklaruar se vrasja s’ka ndodhur për motive familjare (edhe pse Sanije Rexha është motra e Sabit Gecit dhe ka lidhje farefisnore me Gani Gecin), por pikërisht për motive ushtarake, sepse „Gani Geci ka qenë kundër UÇK’së, dhe kundër strukturave të UÇK’së, kjo është arsyeja”, ka theksuar Sanija.

Rexha, pastaj ka shpjeguar se vrasja ka ndodhur pas disa tentativave të Gani Gecit për ta vrarë Abedinin. “Dy herë ka tentuar Ganiu ta vrasë, në njërën herë kam qenë edhe unë prezent, na u ka kall vetura. Të dytin rast i ka shpëtuar konfliktit mu atë ditë që ka tentuar ta vrasë, në mbrëmje, e ka zënë pusinë dhe e ka vra, këtë e di mbarë Drenica”, ka theksuar para gazetarëve Sanije Rexha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat