Limaj: Qeveria e Malishevës për një mandat ka ndërtuar 15 shkolla pa ndihmë të askujt

Kosova

Limaj: Qeveria e Malishevës për një mandat ka ndërtuar 15 shkolla pa ndihmë të askujt

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 15:43
Fushata

Që nga sot 420 nxënësit e shkollës së mesme të ulët "Ganimete Tërbeshi", në fshatin Astrazup të Malishevës do t’i vijojnë mësimin në shkollë të re, pasi që sot është përuruar objekti i ri i kësaj shkolle.

Me rastin e përurimit të kësaj shkolle, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se tani e tutje fëmijët e Astrazubit do të kenë kushte më të mira për të zhvilluar arsimin dhe për të fituar dijen.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se plani i Ministrisë për të pasur një ndërrim shkollor anë e kënd Kosovës, sipas tij askush më afër se Malisheva nuk është për ta arritur.

 Limaj: Në Malishevë po përfundon infrastruktura shkollore

 "Përderisa atje në Prishtinë si kryeqytet i Kosovës e kanë problem me njeh ndërtimin e një shkolle, juve këtu keni ndërtuar 15 shkolla. Kjo është mirë me thanë me zë që qeveria e Malishevës pa ndihmën e askujt, bile nën presion ka arritur për një mandat me i ndërtua 15 shkolla në Komunën e Malishevës dhe kjo është për tu përshëndetur. Unë si bashkëvendës i juaji ndihem jashtëzakonisht i kënaqur që në krejt komunën tonë, fshatrat e komunës tonë kanë mbetur edhe tri, katër shkolla dhe përfundimisht po përmbyllet infrastruktura shkollore, po kryhen kushtet minimale që djemtë dhe vajzat tona të kenë kushte për t’u shkolluar. Si dhe po realizohet projekti jonë që në çdo fshat në komunës së Malishevës mësimi të realizohet në një ndërrim", tha ai.

 Në përurim ishte edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Ku me këtë rast ai tha se duke e pasur një shkollë të re me të gjithë infrastrukturën beson që nxënësit e kësaj shkolle do të edukohen në frymën evropiane.

 Edhe ministri Bytyqi përgëzoi kryetarin e komunës së Malishevës për atë që sipas tij i ka dhënë prioritet shkollave dhe arsimit në qeverisjen e tij.

Bytyqi: Kemi krijuar kushtet e mira për arsim

 "Gjëja më e mirë që mund ta bëjmë për fëmijët dhe për brezat tonë është t’i edukojmë siç duhet. Kemi krijuar kushtet dhe dua të përgëzoj punën e Malishevës, gjegjësisht kryetarin që është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe i kam dhënë prioritet shkollave dhe arsimit. Nuk ka më mirë dhe ide më të mirë që t’i jepet prioritet qeverisja lokale shkollave dhe arsimit, sepse nga këtu burojnë pastaj të gjitha sukseset tjera. Besoj që në këtë vatër tani që është një vatër e re me kushte jashtëzakonisht fëmijët e këtij fshati do të kenë mundësi të edukohen në frymën evropiane. I cili edukim do të ndihmojë që fshati të përparojë shumë më shumë që komuna e Malishevës të ketë kuadro më të mirë", tha ministri.

Ndërsa kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, u shpreh se ndjehet i kënaqur me atë që ka arritur që gjatë mandatit të tij si kryetar të ndërtoj këtë shkollë, ku po ashtu ai tha se Qeveria ia ka pasur borxh këtë shkollë Astrazupit.

Begaj: Edhe shumë gjenerata do të punojnë këtu

"Unë e di se Astrazupi është një vatër e hershme dhe ia kemi pasur borxh me bë këtë shkollë qysh më herët. Kemi pasur fatin ne që të jemi ata që nisim këtë shkollë dhe shumë shkollave në komunën e Malishevës dhe do ti gëzojnë shumë gjenerata edhe pas këtyre vogëlushëve. Edhe shumë gjenerata do të punojnë këtu dhe do të kenë kushte të jashtëzakonshme në këtë shkollë", tha ai.

Ndërkaq, drejtoresha e shkollës "Ganimete Tërbeshi", Afërdita Morina, tha se beson që nxënësit tash e tutje do të kenë kushte më të mira për mësim.

Morina: Shkolla e re do të ofrojë arsim më cilësor

"Nga kjo shkollë kanë dalë  kuadro të kualifikuar në të gjitha profesionet. Besoj që kjo shkollë e re do të ofroj mundësi dhe kushte më të mira për mësim dhe për një arsim më cilësor", tha ajo.

Shkolla e mesme e ulët "Ganimete Tërbeshi" ka gjithej 420 nxënës, 20 paralele dhe mbi 30 mësimdhënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat