Flet nëna që e humbi sot foshnjën 15-muajshe nga fruthi

Kosova

Flet nëna që e humbi sot foshnjën 15-muajshe nga fruthi

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Një foshnjë 15-muajshe ka vdekur në mëngjesin e sotëm, si pasojë e epidemisë së fruthit.

Foshnja nga komuniteti RAE kishte qëndruar për disa ditë nën kujdesin shëndetësor në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nga po e njëjta familje janë duke u trajtuar edhe 3 fëmijë të tjerë nga fruthi. Ndërkaq, ka edhe familje të tjera që të gjithë fëmijët i ka në trajtim në këtë Klinikë.

Janë edhe dhjetëra fëmijë të tjerë të këtij komuniteti që janë duke ardhur për të kërkuar ndihmë nga epidemia në Klinikën Infektive.

Me dhjetëra fëmijë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, janë duke kërkuar ndihmë nga sëmundja e fruthit në Klinikën Infektive që gjendet në QKUK. Familjet e këtij komuniteti i kanë të shtruar në Klinikë nga pesë fëmijë të cilët e kanë sëmundjen e fruthit.

Sabile Kastratit nga qyteti i Fushë-Kosovës, në mëngjesin e sotëm i ka vdekur një foshnjë 15-muajshe nga sëmundja e fruthit. Ajo nuk do të mundë të jetë prezente në funeralin e foshnjës së saj, ngase duhet të qëndrojë në Klinikën Infektive për t’u përkujdesur edhe për dy fëmijët e tjerë të saj, që e kanë këtë epidemi e që gjenden të shtrirë në këtë Klinikë.

Zonja Kastrati thotë se barnat edhe ato më elementare detyrohet t’i blejë vetë.

“Me datën 2 janë vaksinu. Në spital me fëmijët jemi që disa ditë. Po duhet që të blejmë vetë ilaçet”, thotë ajo.

Ndërkaq, janë edhe disa familje të tjera të cilat po kërkojnë shërim në Klinikën Infektive. Familja Bajrami sot i ka sjellë pesë fëmijët e saj me këtë epidemi.

“Sot i kemi sjellë në spital pesë fëmijë. Asnjërin nga ta nuk i kemi pasë të vaksinuar”, thotë Musa Bajrami nga Komuna e Fushë-Kosovës.

E ndërkohë, vetëm në Klinikën Infektive në QKUK mbi 100 persona janë duke marrë trajtim si pasojë e epidemisë së fruthit. Prej tyre dy janë në gjendje të rëndë shëndetësore, një person 37 vjeç si dhe një foshnjë. Të prekurit nga kjo sëmundje më së shumti janë foshnja dhe i përkasin komunitetit RAE, prin rajoni i Fushë-Kosovës dhe ai i Lipjanit.

Rasti i parë i sëmundjes së fruthit ishte shfaqur në muajin qershor të këtij viti. Që nga ajo kohë, edhe rreth 100 persona të tjerë kanë kërkuar kurim në Klinikën Infektive në QKUK, si pasojë e kësaj epidemie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat