PDK premton ndryshime në Malishevë

Kosova

PDK premton ndryshime në Malishevë

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 18:17
Kadri Veseli

“PDK do të jetë forca e ndryshimit në Malishevë”, u tha në tubimin e kësaj partie të mbajtur sot Malishevë. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se Malisheva ka nevojë për zhvillim, i cili këto vite i ka munguar dhe se me fitoren e PDK-së në këtë qytet, gjendja do të ndryshojë dhe do të kthehet zhvillimi, që i duhet shumë kësaj komune.

Veseli po ashtu tha se duhet të krijohet perspektivë për rininë dhe se kjo mund të bëhet vetëm  përmes një bashkimi të madh rreth PDK-së dhe vizionit të saj.  Ai tha se me ardhjen në pushtet të PDK-së në këtë komunë, për dy vite do ta përfundojnë Ujësjellësin nga Radoniqi për të gjithë fshatrat e kësaj komune dhe do ta ndërtojnë tranzitin e Malishevës. Do të përkrahen  fermerët dhe do të rriten subvencionet. Ndërsa premtoi zero taksa komunale dhe tokë publike falas për të gjithë ata që janë të gatshëm për të investuar në Malishevë, për të prodhuar dhe punësuar të rinjtë.

Veseli: PDK do të jetë forca e parë dhe më e madhe në gjithë vendin

“Çfarë mesazhi mund të dërgojë njeriu nga ky vend i lirisë, nga ky vend atdhedashës, nga ky vend i çlirimtarëve, nga ky vend kryeqendër e UCK-së.  Mesazhi është ky se më 22 tetor PDK do të jetë fuqishëm forca e parë dhe më e madhe e vendit. Më 22 tetor, do të fitojmë fuqishëm shumicën e komunave të Kosovës. Më 22 tetor do ta fitojmë Malishevën e dr. Murselin do ta kemi kryetar. Malisheva jonë ka nevojë për zhvillim, ka nevojë  ndryshim, ka nevojë për perspektivë, ka nevojë të ec  shumë më shpejtë përpara, jo këtë stagnim  që e ka pasur duke mbetur në gjysmë të rrugës. Ka nevojë për vende pune. Nuk krijohen vendet e punës duke nxjerrë prej punës, vëllezërit dhe motrat tua. Krijohen vende pune,  përmes një platforme zhvillimore. Malisheva ka nevojë për zhvillim. Këtë të jeni të sigurt se do ta bëjmë bashkërisht. Zotohem para jush, ju që na keni mbajt aq besë e trimëri në kohën më të rëndë, se çdo projekt të cilin do ta prezantohet, nuk do të jetë projekt i premtuar nga dr. Murseli, do të jetë projekt njëqind për qind i realizuar. Për arsye se i kemi borxh Malishevës. I  kemi borxh krejt Kosovës”, tha Veseli.

Ndërkaq kandidati për kryetar të Komunës së Malishevës, Mursel Gashi tha se PDK do të jetë forca e ndryshimit të Malishevë. Ndërsa premtoi se do ta përfundojnë infrastrukturën shkollore dhe prioritet mbi prioritete do të jetë ngritja e cilësisë së arsimit. Po ashtu premtoi ujësjellës në të gjitha fshatrat e kësaj komune.

Gashi: Unë bashkë me ju do të bëhemi forca e ndryshimit në Malishevë

“PDK është sinonim i suksesit për malishevasit, sepse Malishevës ia kanë dhënë pamjen e një qyteti me projektet e saj. Malisheva ka një stagnim për këto katër vite. Stagnim që askush nuk e dëshiron. Unë bashkë me ju do të bëhemi forca e ndryshimit për Malishevën. Bashkërisht me këta burra ulur këtu dhe me strukturat e PDK-së kemi hartuar një program si ta nxjerrim Malishevën, nga kjo gjendje dhe si të zhvillojmë siç e meriton Malisheva dhe malishevasit. Programi jonë mbështetet në këto shtylla kryesore, zhvillimi ekonomik, infrastrukturë, arsim, shëndetësi, rini, kulturë dhe sport, si dhe mbrojtjen e ambientit. Ekonomi përmes parkut të biznesit, krijimit të një zyre ekonomike, e cila do t’i eliminonte burokracinë administrativet. Grante në bujqësi për ata që vërtetë  punojnë, subvencione, jo për ata që nuk punojnë. Nuk do të ndërtohen rrugë për militantët. Do të ndërtohen rrugë trotuare dhe ndriçim për të gjithë. Do ta depolitizojmë arsimin dhe do t’ia kthejmë dinjitetin mësuesit”, tha ai. Ndërsa kryetari i degës së PDK-së në Malishevë, Isni Kilaj tha se PDK do ta fitojë Malishevën dhe se këtë e meriton.  Ai tha se  PDK dhe kryesia e saj në Malishevë, kanë vendosur tashmë që ndryshimin në Malishevë ta bëjnë me humanistin e madh dr. Mursel Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat