Retkoceri zotohet për zhvillim të qytetit të Lipjanit

Kosova

Retkoceri zotohet për zhvillim të qytetit të Lipjanit

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 15:47
Selatin Retkoceri

Furnizim me ujë të pijshëm, menaxhim i rrjetit të kanalizimit, planifikim dhe rritje të fondeve për rrjetet inovative, rregullimi i terreneve sportive, bashkëpunimi me komunën e Prishtinës për marrëveshjen ndërurbane, ndihmë për transport për pensionistët, nxënësit dhe studentët e Lipjanit.

Këto janë disa nga zotimet e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Lipjanit, Selatin Retkoceri, në rast se do të dilte fitues në zgjedhjet e 22 tetorit.

Retkoceri në një intervistë për KosovaPress, u shpreh i bindur se do të udhëheq me Lipjanin pasi gjatë fushatës së deritashme ka parë një vullnet dhe disponim të qytetarëve për ndryshim të qeverisjes dhe përkrahjes së tij.

Retkoceri: Disponimi i popullit është që unë të udhëheq Lipjanin

“Nga të tjerët më dallon përkushtimi ndaj popullit, ndaj shërbimeve, njoh mirë mentalitetin, njoh mirë shërbimet, njoh mirë Lipjanin. Çdo pëllëmbë të Lipjanit por edhe popullin në përgjithësi i kam vizituar, i kam takuar, jo vetëm tani në kohë fushate por vazhdimisht... kështu që unë mendoj se përkrahja dhe disponimi i popullit është që unë kësaj radhe të udhëheq me komunën dhe të jem në shërbim të tyre në katër vitet e ardhshme”, tha ai.

 Pos vullnetit të treguar nga qytetarët, Retkoceri thotë se është edhe plani i tij prej 25 zotimesh, arsyeja pse ai duhet të udhëheq me Lipjanin. Ai theksoi se plani qeverisës përfshinë të gjitha fushat, si ekonominë, arsimin, kulturën, shëndetësinë, rininë dhe sportin. 

Rektoceri: Bujqësinë do ta nxjerrim prej kaosit

“Ne i kemi premtimet sidomos në arsim. Arsimi duhet të përmirësohet në cilësi, por edhe në mësim kabinetik. Pastaj shëndetësia, do të funksionalizohen të gjitha shërbimet. Bujqësia do të jetë prioritet thelbësor, për të cilin kemi program shumë të mirë dhe bujqësinë do ta nxjerrim prej këtij kaosi, prej kësaj gjendjeje. Uji i pijes 24 orë për të gjithë qytetarët e Lipjanit dhe impianti i ujërave të zeza....Zotimet tona janë duke filluar nga administrata transparente në procesin e prokurimit dhe të punësimit. Një çerdhe e re në Lipjan, po ashtu edhe 5 çerdhe në pesë lokalitete më të rëndësishme të Lipjanit në fshatrat më të mëdha. Kuptohet flasim për mandatin 4 vjeçar sepse brenda një viti nuk mund të realizohen këto. Çdo shkollë do të ketë pajisjet me laborator të kimisë, fizikës, pastaj këndin e leximit dhe salla sportive për të gjitha shkollat,.. shujta për nxënësit si dhe dollap për libra për çdo klasë”, theksoi ai.

Tregun e prodhimeve vendore, nëse zgjidhet i pari i Lipjanit, Retkoceri tha se do ta zhvendosin në një vend tjetër ku do të ketë mundësi të veprojë gjashtë ditë në javë, përderisa në vend të tij do të bëjnë një park.

E si ekonomist me përvojë shumëvjeçare që është, ai ka futur në planin e tij edhe zhvillimin e turizmit, me theks të veçantë zonën e Zhegovcit.

Retkoceri: Do të krijojmë të hyra prej turizmit

“Lipjani është një vend atraktiv, ka resurse natyrore të mrekullueshme... ne do ta shndërrojmë në qendër turistike, jo vetëm për Kosovën por edhe për turistë të jashtëm. Gjithashtu në Shalë kemi resurse të mrekullueshme prej në Sllovi, bjeshkët e Zhegovcit, të gjitha këto janë pasuri të cilat ne do t’i funksionalizojmë dhe do t’i shtimë në veprim në mënyrë që të krijojmë të hyra dhe buxhet prej turizmit”, tha ai.

I bindur se me udhëheqjen e tij Lipjani do të përjetojë zhvillimin e merituar, Retkoceri ka akuzuar  qeverisjen e mëparshme e cila sipas tij ka bërë që kjo komunë të ngecë.

Retkoceri: Qeverisja aktuale ka ngecur në të gjitha sferat

“Qeverisja aktuale ka ngecur në të gjitha sefrat sepse fare nuk i ka kushtuar rëndësi arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, zhvillimit ekonomik, punësimit dhe impiantit të ujërave të zeza dhe të pijes. ....Kryesisht orientimi i të gjitha qeverisjeve në Komunën e Lipjanit kanë qenë në asfaltim, shtrim kubëzash dhe infrastrukturë të trotuareve dhe asgjë më shumë, do të thotë nuk është fokusuar në cilësi, objektivi ynë do të jetë cilësia”, u shpreh ai.

Ai i ka porositur qytetarët e Lipjanit që të ndëshkojnë me votën e tyre ata që lanë prapa arsimin, ekonominë dhe shëndetësinë. Sipas tij, Vetëvendosje është alternativa e vetme qeverisëse dhe që sjellë rezultate konkrete në zhvillim të kësaj komune.

Retkoceri: PDK dhe LDK do të vazhdojnë terrin

“Porosia ime është që njerëzit të dalin të votojnë, mos t’iu nënshtrohesh shantazheve, kërcënimeve të blerjeve dhe shitjeve të votave sepse ajo është diçka që dënohet dhe ka të bëjë me fatin dhe ardhmërinë e tyre. ...Duke vazhduar të votohen partitë të cilat qe 18 vite udhëhoqën me Lipjanin, herë LDK-ja e herë PDK-ja, ata do të vazhdojnë terrin, do të vazhdojnë skamjen, papunësinë, do të vazhdojnë krejt atë që qytetarët dinë dhe shohin në komunën e tyre. Do të thotë ata e kanë vetëm një alternativë, dhe ajo alternativë është Vetëvendosje, që do të ketë dhe ka zgjidhje për të gjitha problemet me të cilat qytetarët e Lipjanit ballafaqohen”, tha Retkoceri.

Po ashtu, Retkoceri u zotua se në 6 mujorin e parë të punës së tij si kryetarë i Lipjanit do të organizojë konferenca me donatorë dhe se do të sjellë fonde për zhvillimin e të gjitha sferave të Komunës së Lipjanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat